Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic deklaroi se i ka kërkuar Partisë së tij Përparimtare Serbe, SNS dhe listes zgjedhore të saj, të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd.
“E di që keni shumicën, por është më mirë te humbasësh sesa të përsëritet situata e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Socialistët kryen manipulime zgjedhore”, tha ai në një konferencë për shtyp, përmes të cilës i bëri thirrje qeverisë të zbatojë menjëherë rekomandimet e bëra prej Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në raportin e publikuar për zgjedhjet e mbajtura dhjetorin e vitit të kaluar.
Raporti përfundimtar i ODIHR-it u publikua në 28 shkurt. Ai përcillte mesazhin e fortë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi “janë dominuar prej pjesëmarrjes vendimtare të presidentit, i cili, bashkë me përparësinë sistematike të partisë në pushtet, kanë krijuar kushte jo të drejta për pjesëmarrësit”.
“Në përgjithësi thuhej aty, liritë themelore u respektuan në fushatë, por ato janë minuar prej retorikës së ashpër, paragjykimeve në media, presionit te punëtorët e sektorit publik dhe abuzimeve me burime publike”. Dy ditë më parë, edhe Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që bënte thirrje për hetim ndërkombëtar për dyshimet për parregullsi në zgjedhje, si dhe për pezullim të fondeve evropiane, nëse vërtetohet që autoritetet kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në mashtrime zgjedhore.
Në rezolutë, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që sidomos të hetohen zgjedhjet për qytetin e Beogradit, si dhe dyshimet për dërgim të organizuar votuesish atje nga zona të tjera. Seanca konstituive për Asamblenë e qytetit të Beogradit, që është parashikuar të mbahet më 1 mars, u shty për herë të dytë për në 3 mars, për shkak të mungesës së kuorumit.
Top Channel