Rusia nuk dëshiron që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses sipas projekteve të Perëndimit: në këtë përfundim del raporti i fundit i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), sipas të cilit, përmbyllja pozitive e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, do të dëshmonte tkurrjen e influencës së  Rusisë në çështjet botërore.

KIPRED thekson se fundi i suksesshëm i dialogut do të sillte konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe sigurisë rajonale, ndërsa mbyllja e problemeve me Kosovën do ta nxiste Serbinë për orientim drejt Perëndimit.

“Për rrjedhojë, do të vinte  braktisje e orbitës ruse në të cilën për momentin Serbia është duke lëvizur”, thotë raporti. Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj aleates së saj, Rusisë, për shkak të luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Rrënimi i themeleve të shtetësisë së Kosovës, diskreditimi i politikave perëndimore ndaj dialogut dhe rifitimi drejtpërdrejt i një roli aktiv të Moskës në këtë proces, janë disa prej qëllimeve të Rusisë, sipas raportit të KIPRED-it.

Raporti, gjithashtu, thotë se lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah thellësinë e marrëdhënieve politike, të sigurisë dhe ekonomike, mes Rusisë dhe Serbisë. “Rusia përpiqet ta shfrytëzojë rastin e Kosovës (intervenimin e NATO-s më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 2008) si një monedhë shkëmbimi për grumbullimin e përfitimeve në Ukrainë dhe në Gjeorgji, për t’i legjitimuar luftërat e veta aneksuese”, thuhet në raport.

Top Channel