Në kuadër të programit “Vision 2030” Shqipëria mirëpriti 50 sipërmarrës të Arabisë Saudite, të cilët kërkojnë të investojnë në vendin tonë.
Përfaqësuesit e dhomave të tregtisë shqiptare dhe saudite nënshkruan gjithashtu një memorandum bashkëpunimi dhe krijimin e Këshillit të Biznesit me qëllim zgjerimin e investimeve, ndërsa disa sektorë shihen me interes për investim.
“Aktualisht janë mbi 50 përfaqësues biznesi në Republikën e Shqipërisë që do të shikojnë për të gjetur mundësi bashkëpunimi për investim dhe krijimin e partneriteteve mes dy vendeve tona mike. Referuar të gjitha takimeve që kemi organizuar me përfaqësues të lartë shqiptarë del mundësia e investimit në turizëm dhe agrikulturë, ku Arabia Saudite ka përcjellë një mundësi për të qenë e pranishme në këto investime“, u shpreh Fasial Ghazi Ismail Hifzi, Ambasador i Arabisë Saudite në Shqipëri.
Përfaqësuesi i federatës së dhomave tregtare saudite u shpreh i lumtur për themelimin e këshillit të biznesit mes dy vendeve.
“Dua të shpreh falënderimet e mia për mikpritjen shqiptare që na kanë dedikuar me organizimin e kësaj vizite. Ne jemi duke parë të gjitha mundësitë për të investuar në sektorë të ndryshëm të republikës së Shqipërisë e cila do të merret me seriozitet nga të gjithë përfaqësuesit e palës saudite. Ne sot themeluam këshillin e biznesit Shqipëri – Arabi Saudite, i cili shumë shpejt dhe gjatë këtij viti janë dhënë të gjitha premtimet për të pasur rezultate konkrete në terren nga të dyja palët”, tha Hassan Al – HuaWizi, kryetar i federatës së dhomave të tregtisë, Arabi Saudite.
Përfaqësuesit e palës saudite në vizitën e tyre përveç takimit me krerë të lartë të ekzekutivit patën një mikpritje edhe në zyrën e presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së tij Bajram Begaj.
Top Channel