Sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë! Rama: Plani i Rritjes, një mbështetje e re për vendet e rajonit

29/02/2024 08:03

Liderët e rajonit mblidhen sot në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale pak para takimit, kryeministri Edi Rama shkruan se Plani i Rritjes do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit.

Mirëmëngjes dhe me veçantinë e një tjetër dite, ku Shqipëria mikpret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE për Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”- shkruan Rama.

Vlen të theksohet se, Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare

BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. Në samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Top Channel