Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Brukseli ndihmë me kushte, Varhelyi për Planin e Rritjes: 6 miliardë euro në ndihmë të rajonit, në 2027-ën mos thoni s’jemi gati për në BE

29/02/2024 12:57

Përmes samitit BE-Ballkani Perëndimor, Shqipëria edhe njëherë tjetër dëshmoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Jo të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Tiranë me synimin për të përmbushur kërkesat e BE, në përfitimin e fondit prej 6 miliardë euro, fond, i cili synon rritjen e ekonomive rajonale por me kushtin e vijimit të reformave.

Tapetin e kuq, ku kryeministri Edi Rama priti homologët e rajonit, nuk mundi ta kalojë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për shkak të angazhimeve të mëparshme sikurse tha për Top Channel zyra e shtypit e qeverisë në Prishtinë. Megjithatë mori pjesë virtualisht përmes një video mesazhi. Mungoi edhe kryeministri i Malit të Zi, por për çështje agjende të paracaktuar.

Kryeministri Edi Rama shprehu nevojën e angazhimit të të gjitha vendeve për mos ta humbur fondin 6 miliard euro.

“Mundësitë mund të merren ose mund të humben, ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë rezervë, pa asnjë hezitim,  pa kufizime, pa shtrëngime dhe po, të përfitojmë nga kjo mundësi. Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh. Për të shfrytëzuar planin e ri të rritjes përgjatë viteve në vijim, na duhet të ofrojmë rezultate të prekshme”.

Pavarësisht dëshirës së mirë të komisionerit për zgjerim Oliver Varhelyi, ky plan mbështetjeje duhet të miratohet fillimisht nga Parlamenti Europian.

“Në fakt si plan është plan ambicioz, ne kemi gjysmën e kohës për ta vënë atë në zbatim, ai do duhet të vazhdonte deri në 2027, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani. Dëshiroj të shpreh këtu përpara jush sot është një dëshirë që e shpreh për partnerët tanë të institucioneve financiare, që përveç 30 miliardë eurove ne kërkojmë që ju të na jepni dhe një 6 miliardë tjetër euro që e sjell në fakt të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore të BE për shtetet anëtare. Pra 19% e atyre që do të ofrohen në rajon do të merren deri në vitin 2027”.

Gert Jan Koopman, drejtor i zgjerimit në Komisionin Europian deklaroi se vendet e rajonit duhet që të bëjnë disa ndryshime ambicioze në legjislacion për ta përafruar atë me standardet e BE. Sikurse nismat rajonale duhet të jenë tërësisht funksionale, si për shembull CEFTA.

Në këtë Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua marrëveshja mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë.

Ky samit u zhvillua nën Moton “më të mirë bashkë”. Unifikimi qëndrimeve të Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme, por përfitimi 6 miliard euro nga Bashkimi Europian do të ndodhë vetëm nëse të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor do të avancojnë me reformat.

Top Channel