“Kina ka të drejtë për Tajvanin”/ Analistët për deklaratën e Vuçiç: Po heq paralele me Kosovën!

28/02/2024 12:41

Aleksandër Vucic ka dalë hapur në krah të pretendimeve të Kinës mbi Tajvanin, dhe u angazhua për forcimin e lidhjeve të Serbisë me Kinën, e kjo, në një kohë kur vendi i tij synon anëtarësimin në  Bashkimin Eropian, i cili ka një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës për shkak të mospajtimeve mbi tregtinë dhe agresionin rus në Ukrainë.

“Tajvani është Kinë dhe varet nga ju se çfarë, kur, si do ta bëni, pikë”, mësohet të ketë thënë presidenti serb Vuçiç për televizionin CGTN me seli në Pekin. “Ai është territori juaj, është populli juaj dhe ju jeni një komb sovran. I merrni vendimet vet dhe gjithmonë do të keni mbështetjen e Serbisë”, ka shtuar ai. Kina nuk ka reshtur asnjëherë së pretenduari se ishulli është pjesë e saj, dhe nuk e përjashton as mundësinë e përdorimit të forcës për ta marra Tajvanin mbrapsht. Deklaratën e kreut të shtetit serb, analistë të njohur europianë e shohin dhe si një kërkesë për mbeshtetje nga Pekini për pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Sigurisht, kjo është pjesë e ekuacionit”, i tha VOA-s Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit me seli në Berlin. “Për sa kohë që Vuçiçi ka liri veprimi rreth Kosovës, për shkak se perëndimi nuk është i vendosur për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë njohjen formale të Kosovës, Vuçiçi do të vazhdojë të përdorë marrëdhëniet e tij me Pekinin dhe Moskën për të ruajtur hapësirën e manovrimit”, shtoi ai.

Edhe Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, mendon se Vucic po tërheq në mënyrë të qartë një paralele ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit. “Nëse Kina pretendon Tajvanin, po ashtu edhe Serbia pretendon Kosovën dhe është e drejta e Serbisë ta rimarrë atë. Natyrisht, ka dallime të rëndësishme, por është e qartë se Vuçiçi kishte në mendje Kosovën kur e bëri deklaratën”, është komenti i tij.

Top Channel