Gjyqi më voluminoz i fillimeve të demokracisë ka qenë ai ndaj 10 ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, përfshi ish-Presidentin Ramiz Alia, ish-kryeministrin Adil Çarçani si dhe ish-ministra të tjerë.
Në botimin nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë “Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste 1993-1996” publikohet vendimi i plotë ku ndër të tjera flitet për 13 vrasjet e bujshme në kufi, teksa shqiptarët tentonin të kalonin kufirin që cilësohej ‘tradhti ndaj atdheut’.
Sokol Lika, Sami Daja, Kujtim Xhaja, Bujar Osmani, Fatmir Duro, Nik Hoti, Pëllumb Pëllumbi, Artan Çemi, Muhamet Nurja, Harallamb Papuçiu, Ilia Dalla, Thoma Boda dhe Enver Duka jo vetëm u vranë, por trupat nuk iu dorëzuan as familjarëve.
“Gjithashtu në vazhdën e këtyre veprimeve të paligjshme në vitin 1989, nga ana e forcave të kufirit, të cilat ishin në vartësi të të pandehurit Veiz Hadëri, janë kryer imitime të të vrarëve në kufi nën pretekstin e stërvitjes, duke ekspozuar para popullit persona gjoja të vrarë në kufi, të mbështjellë me çarçafë, të lyer me bojë të kuqe. Këto veprime shoqëroheshin një natë më parë me fishekzjarrë, të shtëna e sirena, për të krijuar në qytet imazhin e alarmit dhe të gjendjes së gatishmërisë”-thuhet në dosje.
Pjesë nga dosja:
Me ligjin Nr. 7380 datë 8.5.1990, “Mbi disa ndryshime në Kodin Penal” të
miratuara nga Kuvendi Popullor, vepra penale e tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes është ndryshuar duke u cilësuar si kalim i paligjshëm i kufirit. Natyrisht që ky cilësim i ri juridik bënte që kjo vepër të konsiderohej me rrezikshmëri shoqërore shumë më të vogël se dispozita e mëparshme, e rrjedhimisht edhe me një rrezikshmëri më të vogël të personit. Gjatë kësaj periudhe ishte vënë re prirja e mjaft personave për kalimin e kufirit
shtetëror.
Me ndryshimet e ndodhura në legjislacion duhej bërë një rregullim i ri nënligjor,
detyrim ky në rastin konkret për ministrin e Punëve të Brendshme të kësaj periudhe, të pandehurin Simon Stefani. Ky i pandehur nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndonëse këtë të drejtë dhe detyrim ligjor ia njihte dekreti nr.4650 datë 9.3.1970, si dhe neni 85 i Kushtetutës së vitit 1976, sipas të cilit “Ministrat përgjigjen për veprimtarinë e Ministrive … për çështjen që janë në kompetencën e tyre nxjerrin urdhra, rregullore e udhëzime në bazë të ligjeve”.
Nga hetimi gjyqësor rezultoi se i pandehuri Simon Stefani nuk ka bërë një rregullim të tillë ligjor, nuk ka përpunuar asnjë rregullore të mëparshme apo të nxjerrë urdhra e udhëzime për kryerjen e detyrave të forcave të kufirit në kushtet e reja të krizës ekonomike, shoqërore, politike, si dhe të ndryshimit të legjislacionit.
Ndonëse ka pasur informacione të shumta për çka ndodhte në kufi (informacione këto të administruara në seancë gjyqësore), i pandehuri Simon Stefani ka lejuar që ruajtja e kufirit dhe në këto momente të bëhej me rregulloren e mëparshme, të miratuar me urdhrin e tij nr. 01–56 datë 5.6.1985 dhe ndryshuar me urdhrin nr. 01–10 datë 13.10.1989, i cili parashikonte dhe rregullat e hapjes së zjarrit.
Por në periudhën e nxjerrjes së këtyre akteve nënligjore është pasur parasysh
rrezikshmëria e madhe shoqërore e veprës penale të tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit. Sipas rregullores së shërbimit të kufirit të vitit 1985, hapja e zjarrit në kufi është një nga momentet më me përgjegjësi dhe merr kurdoherë karakter të mprehtë politik, sepse ka të bëjë me politikën e partisë dhe të shtetit.
I pandehuri Simon Stefani jo vetëm që nuk bëri ndryshimet e nevojshme të rregullores ekzistuese apo të urdhëronte ndalimin e hapjes së zjarrit, duke shmangur ardhjen e pasojave, por gjatë kësaj periudhe ai ka dhënë porosi që të forcohet më tepër zbatimi i rregulloreve të
mëparshme. Këto qëndrime me dashje e antiligjore të këtij të pandehuri, të kryera për shkak të detyrës, nëpërmjet përmbushjes së rregullt të saj, duken qartë në përgjigjet e shënimet
që bënte ky i pandehur në informacionet me shkrim që i dërgoheshin, në të cilat mbartej shqetësimi për zbatimin në kushtet e reja shoqërore, politike dhe legjislative të rregulloreve të mëparshme. Kështu, p.sh., shqetësimit të pasqyruar në informacionin nr.678 datë 8.6.1990 të Degës së Punëve të Brendshme Librazhd, për mënyrën e zbatimit të rregulloreve ekzistuese
dhe interpretimin e ligjit të ri, i pandehuri Simon i është përgjigjur me shënimin: “Komanda e kufirit, të gjithë kuadrot e sidomos sektori i edukimit të bëjnë përgatitje serioze dhe në bazë të problemeve që kanë dalë në reparte apo zona kufitare t’u shpjegohet ushtarëve, kuadrove, se masat e marra nga Partia e Qeveria nuk e liberalizojnë ligjin (rregulloren) për kufirin, por ato kërkojnë të forcohet, bile në këto momente duke e zbatuar pa lëshime”.
Gjithashtu në seancë gjyqësore nga shpjegimet e dëshmitarit Ismail Skeja, në atë kohë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Kufirit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezultoi se në shtatë muajt e parë të vitit 1990, meqenëse kishte më shumë ngjarje në kufi në krahasim me periudhat para dhe pasardhëse, Komanda e Kufirit ka lëshuar disa urdhra për periudha të caktuara, për ndalimin e hapjes së zjarrit, si dhe ka bërë propozime për ndryshimin në zbatim të ligjit të ri të rregullores pranë titullarit të dikasterit.
Dashjen në veprimet e mëparshme të të pandehurit Simon Stefani, pavarësisht se në ditët e fundit të karrierës si ministër i Punëve të Brendshme, e tregon dhe telegrami i tij i datës 4.7.1990, dërguar rretheve kufitare, me të cilin anulonte urdhrin e komandantit të kufirit, datë 30 qershor 1990, për ndalimin e hapjes së zjarrit në kufi, duke urdhëruar zbatimin e kërkesave të rregulloreve të mëparshme të shërbimit të kufirit.
Sa më sipër u provuan edhe me procesverbalin e këqyrjes së dokumenteve shkresore, datë 14.2.1994, të administruara në seancë gjyqësore. Pretendimi i të pandehurit se fakti që kufiri është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe fakti i përdorimit të armës në kufi determinojnë njëri-tjetrin, nuk qëndron, pasi arma është vetëm një nga mjetet që përdoret për mbrojtjen e kufirit, e cila kërkon edhe situatën e posaçme që të përdoret. Vepra e kryer nga i pandehuri prek marrëdhëniet e vendosura për mbrojtjen e jetës së shtetasve dhe
funksionimin normal të aparatit shtetëror. Subjekt i kësaj vepre penale është i pandehuri Simon Stefani në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, për periudhën që i përket këtij episodi të akuzës.
Pra, në veprimet e mosveprimet e këtij të pandehuri shihen qartë elementët e figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës, e cila ka sjellë si pasojë vrasjen në kufi të 13 shtetasve dhe plagosjen e një tjetri nga periudha 23 Maj 1990 deri në datën 8 Korrik 1990, kur i pandehuri u shkarkua nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme. Kështu janë vrarë nga forcat e kufirit të rretheve Korçë, Ersekë, Librazhd, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër, shtetasit Sokol Lika, Sami Daja, Kujtim Xhaja, Bujar Osmani, Fatmir Duro, Nik Hoti, Pëllumb Pëllumbi, Artan Çemi, Muhamet Nurja, Harallamb Papuçiu, Ilia Dalla, Thoma Boda, Enver
Duka dhe është plagosur shtetasi Kristaq Lloci.
Këto pasoja shoqërisht të rrezikshme u vërtetuan në seancë gjyqësore edhe me dosjet hetimore që administroi gjykata, informacionet e prokurorive, hetuesive dhe Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, të komandës së kufirit etj. Edhe nga praktika e pasardhësit të këtij të pandehuri, ish-ministrit të Punëve të Brendshme, të pandehurit Hekuran Isai, u tregua se të paktën një qëndrim i ri i forcave të kufirit mund dhe duhej diktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (konkretisht nga titullari), pasi siç shpjegoi i pandehuri Hekuran
Isai, gjendja në kufi ishte e rënduar, ndaj mosdhënia e urdhrit për ndalimin e zjarrit do të kishte pasoja katastrofike për popullin. I pandehuri Simon Stefani është akuzuar dhe për mosdorëzimin e familjarëve të kufomave të shtetasve të vrarë në kufi, në bashkëpunim me të pandehurin Veiz Hadëri. Trupi gjykues vlerëson se edhe në këtë pikë qëndrimi i përfaqësuesit të akuzës është i drejtë dhe këta dy të pandehur nuk duhet të përgjigjen penalisht për këtë
episod të akuzës, pasi nga hetimi gjyqësor nuk rezultoi që këta dy të pandehur ta kenë kryer veprën penale në bashkëpunim. Nuk u vërtetua që për ngjarjen e Grazhdanit të Sarandës i pandehuri Simon Stefani të ketë urdhëruar që kufoma të mos u jepej familjarëve dhe gjithashtu nuk u provua që të ketë biseduar apo komunikuar me ndonjë mënyrë tjetër me të pandehurin Veiz Hadëri. Nga ana tjetër nuk u vërtetua se ky i pandehur (Veiz Hadëri)
të ketë dhënë ndonjë urdhër për varrosjen në vend të kufomave dhe mosdhënien e tyre familjarëve. Përfundimisht, për këtë episod të akuzës, të pandehurit Simon Stefani dhe Veiz Hadëri nuk duhet të përgjigjen penalisht.
Megjithatë i pandehuri Veiz Hadëri akuzohet edhe për një episod tjetër të
shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që kishte funksionin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Sarandë.
Në muajin qershor 1985, në afërsi të Ksamilit dhe në Gjirin e Manastirit, janë gjetur kufoma të shtetasve Sotiraq Nasto e Jorgji Sholla nga Narta e rrethit të Vlorës. Nga ana e të pandehurit Veiz Hadëri janë urdhëruar ekuipazhe të motoskafit të shërbimit kufitar t’i vendosnin në bashet e motoskafit dhe t’i shëtisnin përgjatë bregdetit të qytetit të Sarandës, me sinjale alarmi të ndezura.
Pretendimi i të pandehurit se ky veprim është bërë me qëllim identifikimin e
kufomave bie poshtë: Së pari, me faktin që afër vendit të ngjarjes është gjetur një çantë me dokumentet e identifikimit të Sotiraq Nastos dhe, së dyti, me faktin që demonstrimi i kufomave është bërë në një distancë 180–200 m larg bregut, gjë që bënte të mundur vetëm arritjen e qëllimit të vërtetë të këtij të pandehuri dhe jo identifikimin e kufomës. Me këto veprime të paligjshme, antihumane e në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, i pandehuri Veiz Hadëri ka arritur të ushtrojë për një kohë relativisht të gjatë një presion dhe terror psikologjik në popull dhe nga ana tjetër indinjatë tek të gjithë banorët e qytetit dhe pushues. Ky fakt u kristalizua nga trupi gjykues edhe gjatë pyetjes si dëshmitar të njërit prej pjesëtarëve të ekuipazhit të motoskafëve, i cili u shpreh: “Na vjen turp të dalim në Sarandë”. Gjithashtu në vazhdën e këtyre veprimeve të paligjshme në vitin 1989, nga ana e forcave të kufirit, të cilat ishin në vartësi të të pandehurit Veiz Hadëri, janë kryer imitime të të vrarëve në kufi nën pretekstin e stërvitjes, duke ekspozuar para popullit persona gjoja të vrarë në kufi, të mbështjellë me çarçafë, të lyer me bojë të kuqe. Këto veprime shoqëroheshin një natë më parë me fishekzjarrë, të shtëna e sirena, për të krijuar në qytet imazhin e alarmit dhe të gjendjes së gatishmërisë. Në këto kushte është e qartë se këto veprime nuk kishin qëllim stërvitjen e forcave të kufirit, por “stërvitjen” e popullit me ndjenjën e frikës dhe të panikut. Sa më sipër u provua në seancë gjyqësore me shpjegimet e vetë të pandehurit Veiz Hadëri, i cili tregoi në ç’rrethana kanë ndodhur ngjarjet e mësipërme, por këto veprime ai dhe avokati i tij mbrojtës i quajtën normale e që nuk përbëjnë vepër penale, shpjegimet e dëshmitarëve Reiz Maksuti, Mitat Bala, Luan Zani e Sokrat Jorgji, efektivë të motoskafëve të forcave të kufirit bregdetar, si dhe pjesërisht dëshmitari Ilirjan Cicaj. Gjithashtu në dëshminë
e tij, dëshmitari Ismail Skeja, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, hodhi poshtë pretendimet se imitimi konkret i bërë nga forcat e kufirit Sarandë ishin në programin e punës stërvitore, pasi ai shpjegoi se një formë të tillë ai nuk e kishte hasur ndonjëherë, madje shprehu habi për hollësitë që u treguan nga prokurori
lidhur me imitimin e ushtarëve të mbështjellë me çarçafë, të lyer me bojë të kuqe. Duket qartë se këto forma “stërvitjeje” ishin iniciativë e të pandehurit Veiz Hadëri, të pamiratuara e të panjohura nga dikasteri.
Përfundimisht, duke parë se ekzistojnë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës si më poshtë, i pandehuri Veiz Hadëri duhet të përgjigjet penalisht për këtë krim.
Nga ana objektive krimi është kryer me veprime të paligjshme, të cilat vinin në
kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Nga këto veprime ka ardhur si pasojë poshtërimi i dinjitetit të personit dhe përhapja e panikut, frikës e pasigurisë në popull.
Objekti i kësaj figure krimi janë marrëdhëniet e vendosura për ruajtjen e rendit shoqëror në përgjithësi e dinjitetin e personit në veçanti, si dhe funksionimin normal të aparatit shtetëror e konkretisht Degës së Rendit Publik Sarandë.
I pandehuri Veiz Hadëri, me detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Sarandë, është subjekt i kësaj vepre penale.
Nga ana subjektive i pandehuri i ka kryer veprimet me dashje të plotë, pasi ai kishte të gjitha mundësitë të parashikonte pasojat që sillnin veprime të tilla, por ai me qëllim ka epruar për ardhjen e tyre pasi i ka dëshiruar ato.
Top Channel