Turma palestinezësh të dëshpëruar në brigjet e Gazës për pakot e ndihmave ajrore të lëshuara në det (fotot)

27/02/2024 18:26

Të tjera pamje dëshpërimi publikoheshin sot nga qyteti i Gazës, i shkatërruar nga bombardimet izraelite dhe i izoluar nga ushtria, teksa qindra njerëz vërshonin në panik për të mbledhur pako ndihmash që lëshoheshin nga avionë.

Turma të mëdha shiheshin në plazhin e Deir al-Balah në Gaza duke pritur për lëshimet ajrore të hedhura me parashuta, disa prej të cilave ranë në bregdet dhe ne det.

Jordania tha se kishte kryer katër misione lëshimesh të ndihmave mbrëmjen e të hënës në bashkëpunim me Francën, por ndihmat që lejohen të vijnë në qytetin e rrënuar janë shumë të vogla në krahasim me nevojën.

Njerëzit e uritur shiheshin që përlesheshin për ndarjen e ushqimeve e mjekimeve, ndërsa një prej avionëve kishte lëshuar ngarkesën e tij në det duke gabuar objektivin.

Gjendja e banorëve bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar teksa shpresat për armëpushim dhe hapje të qytetit për të lejuar kalimin e ndihmës janë ende të ngadalta.

Agjencia e OKB në Rripin e Gazës, OCHA tha se Izraeli ndalon hyrjen e ndihmave në veri të territorit.

Duke kërkuar ndalimin e konfliktit të rëndë, Egjipti, Katari e SHBA po ndërmjetësojnë propozimet për arritjen e një armëpushimi kësaj jave, sipas zyrtarëve.

“Shpresoj të kemi armëpushimi deri të hënën, jemi afër po ende nuk kemi arritur,” tha sot Joe Biden.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA