Ish-presidenti amerikan Donald Trump do të jetë “kundër amerikanëve” nëse zgjedh të mbështesë Rusinë në lidhje me Ukrainën, tha të dielën presidenti i vendit të shkatërruar nga lufta, Volodymyr Zelensky.
Pasi ftoi Trumpin që të vizitonte Ukrainën për të parë nga afër shkatërrimet nga lufta, Zelensky në një intervistë për CNN në Kiev, tha se nuk arrin ta kuptojë sesi Donald Trump mund të jetë në anën e presidentit rus Vladimir Putin.
“Është e pabesueshme”, u shpreh ai.
Trump, i cili është në prag të shpalljes si kandidati republikan për president të SHBA pasi fitoi zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut, në të kaluarën ka refuzuar të thotë nëse dëshiron që Rusia apo Ukraina të fitojë luftën.
Zelensky tha se ai besonte se Trump, i cili pretendon se do t’i jepte fund konfliktit brenda një dite nëse zgjidhej president, nuk i kuptonte qëllimet e Putinit.
“Unë mendoj se Donald Trump nuk e njeh Putinin”, tha Zelensky. “E di që e ka takuar… por ai kurrë nuk ka luftuar me Putinin. Ushtria amerikane nuk ka luftuar kurrë me ushtrinë ruse. Unë nuk mendoj se ai e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë“, tha ai.
Burimi: CNN
Top Channel