Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano pohoi se nuk ka konfirmim pjesëmarrje nga palët për takimit e 27 shkurtit në Bruksel, qëllimi i të cilit është zgjidhja e ngërçit mbi dinarin serb.
“Kemi thënë se i kemi ftuar palët, por deri tani, nuk e kemi të konfirmuar zhvillimin e takimit”, rrëfeu ai për DW. BE i druhet një përshkallëzimi të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndaj dhe bëri dhe një tjetër tentativë për ndërmjetësim, në pikun e debateve mbi ndalimin e dinarit serb nga transaksionet bankare në Kosovë. Por edhe nëse mbahet ky takim, sa rezultat mund të prodhojë vërtet ai?
Profesori amerikan, Daniel Server, ekspert i Ballkanit, kujton se takimet e niveleve të larta me ndërmjetësim të Brukselit zakonisht, nuk janë dëshmuar të efektshme. Serwer, drejtues i departamentit të Menaxhimit të Konflikteve në universitetin “John Hopkins”, dhe me eksperiencë të gjatë në studimin e konflikteve në rajon, shprehet se e kupton vendimin e BQK-së si pengesë të përdorimit të dinarit serb vetëm për kryerjen e transaksioneve. “Kjo më tingëllon si praktikë që ndiqet në shumë shtete. Në Shtetet e Bashkuara, me sa unë kuptoj, e vetmja monedhë e ligjshme është dollari”, thotë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideron përdorimin e dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë, si një mjet që furnizon trafiqet e paligjshme dhe grupet kriminale në veri. Që pas daljes së rregullores për ndalimin e dinarit serb në veprimet financiare, qeveria e Serbisë e ka konsideruar vendimin si spastrim etnik ndaj serbëve në Kosovë, pretendim i cili u artikulua edhe gjatë seancës së jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, ku Serbia dhe Rusia artikuluan njësoj rreth çështjes së dinarit.
“Pretendimi për ‘spastrim etnik’ është i pavërtetë. Por është e rëndësishme për Prishtinën që të sigurojë sa më mirë që të mundet që interesat e të gjithë qytetarëve të saj të jenë të mirëpërfaqësuara. Këtë duket se e mundëson një periudhë tranzitore, e ndjekur më pas me rregullimet e nevojshme”, mendon Serwer.
Top Channel