Si do të rikthehen lojërat e fatit online? Zef Preçi: Publiku përfiton pak. Malaj: Kompania monitoruese duhet te jete serioze, nuk përjashtohen edhe…

26/02/2024 19:56

Rikthimi i lojërave të fatit vetëm online pritet të sjellë formalizimin e një tregu që u mbyll nga qeveria në vitin 2018-të.

Sipas arsyetimit të qeverisë rihapja e tyre është një domosdoshmëri, ndërsa 10 kompani do të konkurrojnë për të marrë licenca. Ekspertët janë të ndarë për përfitimet që do t’i sjellë ekonomisë ky treg

“Në risqet që unë mendoj që i ka tashmë ligji dhe gjithkush mund t’i shoh janë shkalla shumë e ulët e përfitueshmërisë së sektorit publik. Nëse 100 lekë që qarkullojnë në këtë treg vetëm disa qindarka përfundojnë në Buxhet, atëherë lind një pikëpyetje e madhe mbi raportet ndërkombëtare të dekadës së fundit që e konsiderojnë këtë sektor si një nga më të rëndësishmit për aktivitetet e pastrimit të parave  që vijnë nga aktivitet e krimit të organizuar, korrupsionit, drogërave etj”, tha Zef Preçi.

“Unë vlerësoj procesin pasi kemi gati pesë vite që ky aktivitet ka qenë informal. E dimë që tregu informal nuk është mbyllur dhe më shumë para kriminale kanë mbetur jashtë formalizimit të tregut. Kështu që një ditë e më parë duhet formalizuar dhe ne marrim disa të ardhura të rëndëishme që përdoren për edukimin e lojtarëve, mbështetjen e sporti dhe kulturës”, u shpreh Arben Malaj.

Ligji i ri në draftin përfundimtar e përqendron të gjithë aktivitetin e lojërave të fatit tek një komision i posaçëm që do të ngrihet me nëntë anëtarë në përbërje. Ekspertët mendojnë se kjo zgjidhje është thikë me dy presa në rastin më të mirë

“Mbartja e fuqisë vendimmarrëse për monitorim, licensim tek një trup ad hoc dhe shmangia e monopolit shtetëror mbi këtë aktivitet lë shteg për klientelizëm, favoritizim, korrupsion pra për të vazhduar të njëjtat fenomene si përpara mbylljes”, deklaroi Zef Preçi.

“Përzgjedhja e kompanive nuk do të jetë e lehtë. Nuk përjashtohen edhe ndërhyrjet nga ata që kanë pasur bastet më parë. Shumë e rëndësishme është që kompania që do të zgjidhet për të monitoruar këto biznese. Kjo duhet një kompani shumë serioze dhe me përgjegjësi të madhe, ndërsa format e bashkëpunimit mund të jenë të ndryshme”, deklaroi Arben Malaj.

Buxheti i shtetit ka parashikuar të mbledhë rreth 2 miliardë lekë nga tatimi i lojërave të fatit, parashikuar në deklaratat e raportuara përpara 2018-tës nga këto biznese, ndërsa qeveria pritet të shpërndajë një pjesë të fondeve me VKM te projekte sportive, edukative apo kulturore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA