Kryeparlamentari bullgar në Shqipëri, takon Nikollën: Konfirmojmë se dialogu politik është në nivelin më të lartë

26/02/2024 10:59

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti këtë të hënë në Kryesinë e Kuvendit, Kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Rossen Jeliazkov, që po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në një konferencë për mediat pas takimit, Jeliazkov theksoi se mes dy vendeve ka bashkëpunim të mirë dhe dialog politik në nivelin më të lartë.

“Patëm një dialog intensiv dhe interesant. Nënvizuam marrëdhëniet tona, edhe në kontekstin e procesit të integrimit në BE. Edhe në kontekstin e sfidave.

Mes dy vendeve tona, nuk ka çështje të hapura, dialogu politik në nivel më të lartë është konfirmuar edhe sot, edhe me ftesën që Nikolla pranoi të zhvillojë në Sofje. Konkluzionet e Komisionit Evropian sa i përket indikatorëve të përparimit të Shqipërisë, përkrahen nga ana jonë. Shqipëria ka përkrahjen e palëkundur të Bullgarisë. Shqipëria përmbush të gjitha detyrimet e politikës së jashtme, ka një pozicion të palëkundur sa i përket luftës së Ukrainë, përmbush të gjitha detyrat të lidhura me nismat rajonale”.

Kryetari i Parlamentit bullgar foli për investimet, nga të cilat përfitojnë të dyja vendet dhe u ndal te minoriteti bullgar në vendin tonë.

“Folëm për mundësitë që do të na japë ndërtimi i Korridorit 8, për intensifikimin e marrëdhënieve. Në një vit, do të kemi një linjë ajrore, që do të japë një potencial tjetër për zhvillimin e turizmit.

Morëm konfirmim për garantimin e të drejtave të minoriteteve. Për këtë, përkrahim edhe më fort rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel parlamentar për intensifikimin e të gjitha marrëdhënieve ndërinstitucionale për të përforcuar lidhjet mes dy vendeve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA