Hungaria, sot dritë jeshile Suedisë për në NATO? Pritet ratifikimi: Hap historik!

26/02/2024 09:53

Hungaria pritet të ratifikojë sot pranimin e Suedisë në NATO, duke hequr kështu pengesën e fundit drejt anëtarësimit të vendit nordik, që do të përbënte një hap historik teksa shteti që kishte preferuar prej dekadash të ruante asnjanësinë tani mund të kthehet në anëtarin e 32-të të aleancës veri-atlantike.

Shkak i kthesës së qëndrimit të Stokholmit ishte frika që ngjalli agresioni rus në Ukrainë. Me shumë gjasë, votimi në parlamentin hungarez do të kalojë pa probleme; kryeministri Viktor Orban e nënkuptoi një gjë të tillë pas vizitës që kryeministri suedeze, Ulf Kristersson zhvilloi në Budapest të premten kur dy palët nënshkruan një marrëveshje për blerje avionësh luftarakë. Pas bindjes së Turqisë, Hungaria mbeti shteti i fundit që nuk e ka ratifikuar ende pranimin e Suedisë në aleancë.

Përpara nisjes së pushtimit të Moskës ndaj vendit fqinj shkurtin e vitit 2022, si Suedia ashtu edhe Finlanda kishin preferuar të ndiqnin një politikë neutraliteti ushtarak. Por ndërsa Helsinki e pati më të lëmuar rrugën drejt anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake të globit, Stokholmi u përball me pengesa nga Turqia dhe Hungaria.

Ankaraja kërkoi nga Suedia që të ndërmerrte veprime më të ashpra kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që gjenden në Suedi, në këmbim të ratifikimit të anëtarësimit në NATO, ndërsa hezitimi i Hungarisë kishte të bënte kryesisht me kritikat suedeze për demokracinë në vendin e udhëhequr nga nacionalisti Orban.

Top Channel