Edhe pse Kosova e Serbia nuk e kishin konfirmuar deri tani pjesëmarrjen e delegacioneve të tyre në takimin e 27 shkurtit në Bruksel për dinarin serb, duket se në fund janë dorëzuar.
Bashkimi Europian doli me një deklaratë të dytë ku pohon mbajtjen e takimit. Nga Kosova konfirmuan për REL se ftesës së BE-së i është përgjigjur pozitivisht Banka Qendrore e Kosovës, e sipas medias së njohur, Prishtina do të përfaqësohet nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili. Ndërsa agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, thotë se Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkovic.
BQK-ja tha se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 1 shkurt, e cila parashikon që transaksionet me para kesh të kryhen vetëm me euro. Zëdhënësja e Komisionit Europian për çështje të politikës së jashtme, Nabila Massrali, nuk saktësoi nga ana e saj se kush do të marrë pjesë, por tha se takimi do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të flitet për “gjetjen e zgjidhjeve”.
Javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, deklaroi se ai vetë nuk kishte ndërmend ta pranonte ftesën ndërsa akuzoi të dërguarin europian për dialogun, Mirosllav Lajçak, se kishte shkelur parimin e caktimit të agjendës së takimit, pa pajtimin e palëve. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, sakaq pohoi më herët se ka pasur takime “të pasuksesshme” me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, sa i përket shtensionimit të situatës mes dy shteteve.
Në një artikull të publikuar pas mbajtjes së Konferencës së Sigurisë në Munih lidhur me axhendën gjeopolitike të BE-së, Borrell përmendi edhe takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 16 shkurt dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke treguar hapur se përpjekjet e tij, fatkeqësisht, kishin përfunduar pa sukses.
Top Channel