Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, paralajmëroi se Serbia është e gatshme tashmë t`i avancojë planet e Vladimir Putinit për destabilitet e luftë në rajon.

Nisur nga dy vjetori i luftës në Ukrainë, ai thotë se Putin, ka angazhuar edhe satelitët e vet në Europë për të nxitur përçarje e konflikte, e Serbia është një prej tyre.

“Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Europë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqendrim, luftë dhe përçarje”, ka shkruar kryeparlamentari në Facebook, ndërsa përcjell edhe një herët mbështetjen e Kosovës për fitoren e Ukrainës.

“Me një Serbi të gatshme për t’ shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Europë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë”, shton ai.

“Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Europian”, thuhet në mesazh.

Top Channel