Ceremoni solidariteti për Ukrainën në Tiranë në dy vjetorin e nisjes së agresionit rus, Wisner: Shqipëria, një partner i vërtetë! Ambasadori Shkurov: Lufta tregoi miqtë dhe armiqtë tanë

24/02/2024 12:41

I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Shqipëri, David Wisner mbajti fjalën në ceremoninë e organizuar sot në Tiranë në shenjë solidarizimi me Ukrainën në 2-vjetorin nisjes së luftës.

“Ju falënderoj për organizimin e këtij aktiviteti dhe që na keni sjellë të gjithëve këtu. Shqipëria ka qenë një partner i vërtetë i Ukrainës duke dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme 2 vitet e fundit. Nga koha e vendit në Këshillin e Sigurimit duke mbajtur përgjegjëse Rusinë për agresionin e saj. Shqipëria ka treguar se ka qenë një partner fenomenal i popullit ukrainas dhe SHBA. SHBA mbetet e angazhuar për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Duhet të vlerësojmë edhe ukrainasit guximtarë që kanë treguar trimëri për vendin e tyre. Ata i kanë mësuar Presidentit Putin ligjin e tretë të Njutonit, çdo veprim ka një kundërveprim të barabartë. Zelensky nuk u arratis dhe NATO sot është rritur dhe të gjithë sot jemi së bashku dhe do të jemi të tillë teksa bëjmë përpara”, tha ai.

Amabasadori ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov shoprehu mirënjohje për qeverinë shqiptare e cila u ka hapur derën ukrainasve të cilët janë larguar nga lufta.

“Asnjëherë nuk do e harrojmë mëngjesin e para dy viteve si sot. Këto dy vite agresioni na kanë treguar cilët janë miqtë dhe armiqtë tanë.

Ukrainasit guximtarë patën besim në veten e tyre dhe po luftojnë edhe sot për fitoren ndaj agresorit. Më dhemb kur e them që Rusia po mbledh trupa dhe numër të madh ushtarësh. Mbi 20% e Ukrainës është sot e pushtuar. Tani Rusia ka rritur numrin e sulmeve masive mbi territorin ukrainas me përdorimin e raketave dhe dronëve të ndryshëm.

Jam mirënjohës për qeverinë shqiptare që ka zgjatur rezidencën për ukrainasit që u detyruan të largohen nga vendi i tyre. Falënderoj aleatët tanë që kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar. Dua të falënderoj bashkinë e Tiranës për ndihmën e vazhdueshme dhe një përshëndetje për të gjithë pjesëtarët e politikës shqiptare dhe përfaqësuesit e ambasadave që janë prezentë këtu ”, tha Shkurov.

Veliaj bëri me dije se javën tjetër Tirana do të mikpresë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kur tha se bujaria shqiptare do të reflektohet në pritjen e organizuar për të.

“Tirana do të përgatitet për të mikpritur presidentin, Volodymyr Zelensky, që do të jetë këtu për samitin javën tjetër. Kështu që jo vetëm një rrugë që quhet nga Bashkia e Tiranës “Ukraina e lirë”, por e gjithë Tirana do të ndihet si ky toponim, një Ukrainë e Lirë. Shpresoj që të jetë një vizitë e suksesshme. Bujaria shqiptare të reflektohet edhe në pritjen që kemi rezervuar për presidentin Zelenskyy”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA