Çështja e dinarit serb do të diskutohet javën e ardhshme në bruksel, por kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi paralajmëron, se nuk do të marrë pjesë në takim.

Presidenti ndërkombëtar vazhdon ndaj qeverisë së Kosovës, nga e cila kërkohet ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore, që përcakton Euron si valutën e vetme për pagesa në vend, duke përjashtuar në këtë mënyrë dinarin. Megjithatë nga BQK nuk ka asnjë sinjal që të tregojë se mund të zmbrapset nga një vendim i tillë. I vetmi lëshim i qeverisë së Kosovës ishte hartimi i paralajmëruar i një plani dhjetë pikësh përmes të cilit synon të zbusë ndikimin që mund të ketë rregullorja tek qytetarët e komunitetit serb.

Zëvendëskryeministri, Bislimi edhe një herë këmbënguli se vendimi i BQK-së, nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti, por vetëm synon rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe atij të pagesave në vend.

“Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë.  Banka Qendrore ka nxjerrë një varg aktivitetesh dhe masash me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim e në ditët në vijim edhe qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej dhjetë masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare”, ishte komenti i tij, teksa më herët kritikoi të dërguarin e BE-së  për dialogun Miroslav Lajçak, për faktin se e caktoi takimin e Brukselit për çështjen e dinarit pa rënë më parë dakord për këtë me Prishtinën zyrtare.

Bislimi insiston se kryenegociatori nuk duhet të marrë pjesë në një takim të tillë, me argumentin se çështja e dinarit serb, nuk është pjesë e procesit të dialogut.

Top Channel