“Çfarë i ka dhuruar Vuçiç”? Në kërkim për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiç shfaqet duke festuar ditëlindjen me fishekzjarrë

22/02/2024 19:19

I kërkuari nga Kosova për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiç, ka festuar si “komandant” i lirë ditëlindjen e tij të 46-të në Kopaonik të Serbisë, bazuar në pamjet që janë publikuar në rrjete sociale të enjten.

Videon e ka publikuar edhe politikani serb Nemanja Saroviç, raporton Koha.

“Milan Radoiçiç ishte në Kopaonik dje. Me fishekzjarrë dhe banerin ‘Urime ditëlindjen komandant’ festoi ditëlindjen e 46-të. Çfarë i ka dhuruar Aleksandar Vuçiçi?”- ka pyetur udhëheqësi i lëvizjes politike “Dashuri, Besim, Shpresë” në Twitter.

Në video shihet Radoiçiçi nga prapa teksa u afrohet disa burrave që mbajnë banerin. Në video shihen edhe fishekzjarrët.

Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë së Kosovës, u vranë tre sulmues. Shumica e sulmuesve ikën.

Pamjet kanë treguar qartë udhëheqjen e grupit nga Radoiçiçi. Ai ka pranuar përgjegjësinë, ndërsa në Serbi është liruar. Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se të gjithë të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit janë vendosur në sistemin e urdhërarrestit ndërkombëtar të Interpolit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA