“80 % e protestuesve vijnë për Berishën”, “Jo janë 97%”, Tritan Shehu akuzon kolegët pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit të PD: Jeni çimka…

22/02/2024 22:31

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i mbledhur një ditë para seancës, vendosi që të mos votojë pro draftit të amnistisë penale të propozuar nga qeveria.

Në mbledhjen ku mediat nuk ishin të pranishme, kreu i grupit Gazment Bardhi tha se opozita nuk mund ta votonte për shkak se ishte në aksion në Kuvend dhe nuk ishte në dijeni se cili ishte drafti përfundimtar që shumica do të sillte në seancën e sotme (e enjte).

Deputeti Tomor Alizoti, duke iu referuar protestës së 20 shkurtit, tha se shumica dërrmuese e protestuesve në shesh vijnë prej Berishës.

Unë nuk jam berishist, nuk e dua Berishën, por ai njeri e ka aftësinë për te qene politikan. Njerëzit vijnë në protestë prej pakënaqësisë, prej mërzitjes me qeverinë dhe prej Sali Berishës. Ne të tjerët jemi te gjithë njësoj, nuk ka nevoje për t’u quajtur njeri me i rëndësishëm se tjetri. Rreth 80% e njerëzve vijnë prej Berishës”, tha Alizoti.

Në atë moment ndërhyri Tritan Shehu që sipas tij kjo shifër nuk është 80%, por 97%.

Por shqetësimi i deputetit Tritan Shehu, për të dytën mbledhje me radhë, ishte diku tjetër. Ai kërkoi që kolegët të mos i nxirrnin në media ato që thuheshin në mbledhjen pa e kamerave.

“Nuk dua me që të zbardhen mbledhjen e grupit. Është çështje morali. Unë çfarë flas këtu nuk doja qe të dalë në media”, mësohet të ketë Shehu. Siç raportohet disa prej kolegëve kanë nisur të qeshin pas shqetësimit të Shehut, ndërkohë që “i dorëzuar” është shfaqur edhe Flamur Noka.

“Nuk kemi çfarë t’iu bëjmë Tritan, dalin gjithmonë diskutimet tona. Pastaj ne s’kemi gjë për të fshehur, jemi transparent”, mësohet të ketë thënë Noka.

Një ditë më pas, thuajse i gjithë diskutimi i mbajtur në mbledhjen e mbyllur të demokratëve ka rrjedhur në media.

Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të Shehut përmes një statusi në faqen e tij në facebook, që sipas tij nuk është për të qeshur, por për të qarë.

Më poshtë postimi i plotë:

E konsideroj të pështire „cimkën“ midis nesh! Që ka shitur shpirtin për 30 aspra! Prandaj e kam trajtuar si imorale daljen e “proces verbaleve” të mbledhjeve të mbyllura të grupit tonë parlamentar. Është jo për të qeshur, siç thotë sot një gazetar, por për të qarë, realisht për të qarë!

Të regjistrosh ato që bisedohen lirshëm në një mbledhje shkëmbim mendimesh, kolegësh me dyer të mbyllura, e me tej t’i publikosh ato si skuth, me gjithë deformimet e tyre… Për formimin tim është pika më e ulët e moralit, kolegjialitetit, besimit e bashkëpunimit reciprok. Jam në PD e forumet e saj prej vitit 1990. Kam qenë Kryetar e Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Asnjëherë nuk jam takuar me një fenomen të tillë, kaq meskin, asnjëherë, edhe në momentet më të vështira e gjatë përplasjeve tona të brendshme.

Ku “cimka” në grupin tonë, me metodat e diktaturës, fshehurazi të regjistron dhe publikon më tej si dëshiron ai, ato që t’i bisedon, diskuton, me atë e kolegët e tjerë. Pa dyshim kjo bëhet nga “cimka” me mision… Prandaj kërkoj që mbledhjet e radhës tonat të bëhen të hapura. Kjo edhe për të shpëtuar „cimkat“ midis nesh nga mëkatet e mëtejshme mbi ndërgjegjen e shpirtin e tyre. Të shitur tashmë ndoshta për më shume së „30 aspra“.

Top Channel