Stoltenberg: Të “fitojmë” për Navalnyn, nderimi më i mirë, mposhtja e Rusisë në Ukrainë

21/02/2024 10:24

Vdekja e kryeopozitarit rus Aleksei Navalny por edhe avancimet e para që Rusia po shënon në Ukrainën pas shumë muajsh nga konflikti, duhet të shërbejnë si kambanë zgjimi dhe t`i ndihmojnë aleatët e NATO-s t`i kushtojnë vëmendjen e duhur nevojës urgjente për mbështetjen e Kievit në këtë moment të vështirë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë (REL) se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdivkës pas muaj të tërë luftimesh është tregues i domosdoshmërisë për më shumë ndihma ushtarake . Rusia, e bëri të qartë ai, nuk duhet lejuar të fitojë më shumë territory. Vdekja e Navalnyt në një burg në Arktik të premten më 16 shkurt nën rrethana të dyshimta, nga ana tjetër, e rrit nevojën për t’u siguruar që sundimi autoritar i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk kalon pa u kontrolluar.

“Unë besoj me force se mënyra më e mirë për ta nderuar kujtimin e Alexei Navalnyt është të sigurohemi se presidenti Putin nuk do të fitojë në fushëbetejë, por se do të jetë Ukraina ajo që të triumfojë”, tha Stoltenberg.

Aleatët e Ukrainës kanë punuar për një pako prej 61 miliardë dollarësh ndihmë ushtarake amerikane, kujtoi kreu i NATO-s, por ajo është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, në një kohë kur vende të tjera përfshirë Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë, e kanë rritur mbështetjen për Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes e Suedisë njoftoi një ditë më parë se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para për blerjen e armëve. Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në 2022-shin.

Top Channel