“Inside Story”/ Thyen xhamat nga krizat, gjendja e mjerueshme e 8-vjeçares me tre diagnoza

21/02/2024 21:36

8-vjeçarja Navisa nga fshati Barbullush është diagnostikuar me epilepsi aktive, paraplegji dhe vonesa psikomotore. Për më tepër, ajo nuk mundet të flasë dhe as nuk dëgjon.

“Vajza ka qenë 3-muajshe kur e kam kuptuar, ka pasur krizat e para, ka nxjerrë shkumë nga goja dhe që në atë moment e deri tani që është 8 vjeçe, nuk ka folur e as reaguar asnjë gjë”– tha e ëma Nadire Qerreti.

Familjarët, komunikojnë me të me vështirësi me gjuhën e shenjave. Kjo e bën të vështirë ndjekjen e një terapie pasi nuk ka komunikim, dhe për këtë është e domosdoshme vendosja e aparatit të dëgjimit, për të cilin familjarët nuk kanë mundësi financiare.

“I bëjmë ezhe për të parë se si është por gjendja është njësor, nuk ka ndryshuar. Shpenzimet me zor i kryejmë, kur shkojmë në Shkodër duhet ti lë fëmijët në komshijë, mi mban apo nuk i mban njeri , burri pa punë ma shumë, vjehrra nuk shikon, me zor i kalojmë këto”– u shpreh Qerreti.

Familja përbëhet nga 6 pjesëtarë, 3 fëmijë, gjyshja dhe prindërit. Gjyshja është e verbër dhe në këto kushte e ka të pamundur të jetë një ndihmë në kujdesin për Navisën. Ka momente kur Navisa bëhet e dhunshme.

Ka momente që është mirë, ka momente që e kap epikriza, qëndron si e ngrirë nxjerr shkumë nga goja deri edhe në dy ditë”- u shpreh Nadire Qerreti.

Nga kriza e fundit që kaloi, Navisa theu xhamat e dritareve të dy dhomave të gjumit. Për shkak të moshës ende të vogël, e ëma mundet ta vërë nën kontroll, por në të ardhmen do ta ketë më të vështirë. Përpjekjet e familjes janë përqëndruar tek ajo për shkak të problemeve të shumëfishta me të cilat përballet e vogla. Vendosja e aparatit të dëgjimit do të lehtësonte komunikimin. Kjo do t’u jepte mundësi mjekëve të punonin për ta përmirësuar sadopak gjendjen e saj.

Top Channel