Aleksandri i Madh homoseksual? Filmi i Netflix merr kritika të shumta, e djathta greke debat me ministren e Kulturës

21/02/2024 12:16

Një film në Netflix mbi Aleksandrin e Madh që përshkruan marrëdhënien midis liderit të madh maqedonas dhe gjeneralit të tij besnik Hephaestion, si një dashuri homoseksuale ka shkaktuar kritika në Greqi.

Lina Mendoni, Ministre e Kulturës e Qeverisë së Athinës, e përkufizoi serialin televiziv “Aleksandri, krijimi i një perëndie” si “një sajesë me përmbajtje jashtëzakonisht të ulët dhe të tmerrshme, plot pasaktësi historike”, duke komentuar në lidhje me përshkrimin e dy protagonistëve si homoseksualë: “Nuk përmendet në burimet e kohës një marrëdhënie që shkon përtej miqësisë, siç e quan Aristoteli”.

Në Athinë çështja përfundoi në një debat në Parlament, ku Dimitris Natsiou, president i Niki, një parti e krishterë ortodokse greke e ekstremit të djathtë, akuzoi serialin si “të mjerë, të papranueshëm, jo historik”, duke argumentuar se “objektivi real është për të dhënë një ide për homoseksualitetin si krejtësisht të pranueshëm në kohët e lashta, një tezë e pabazë.”

Për këtë, si dhe për natyrën e marrëdhënies midis Aleksandrit dhe gjeneralit të tij, mendimet e specialistëve ndryshojnë.
“Marrëdhëniet e të njëjtit seks ishin padyshim normë në të gjithë botën greke”, thotë profesor Lloyd Llewellyn-Jones, profesor i historisë së lashtë në Universitetin e Cardiff-it, në episodin e parë të dokumentarit. “Sigurisht, grekët nuk kishin asnjë fjalë për të treguar homoseksualitetin, sepse ai nuk ekzistonte në fjalorin e tyre. E gjitha ishte pjesë e seksualitetit”.

Thomas Martin, profesor i historisë greko-romake në Kolegjin e Kryqit të Shenjtë, një universitet jezuit në Masaçusets, vëren se, megjithëse Aleksandri dhe Hephaestioni identifikoheshin me dy personazhe nga Iliada, si Akili dhe Patrokli, të cilët tani zakonisht konsideroheshin të dashuruar, Homeri nuk i rrëfeu kurrë si të tillë dhe një interpretim i ngjashëm u përhap kohë më vonë, megjithëse i cituar nga autorë të shquar si Eskili dhe Platoni.

Ndërsa profesori Martin dhe Christopher Blackëell, një klasicist në Universitetin Furman, argumentojnë se marrëdhëniet homoseksuale nuk ishin të përhapura në kohën e Aleksandrit të Maqedonisë, Robin Lane Fox, një profesor i klasikëve në Oksford, kundërshton duke thënë se dashuria midis dy burrave “nuk ishte jashtë normës”. Ekspertë të tjerë theksojnë se Athina dhe Maqedonia kishin zakone të ndryshme në këtë drejtim.

Sigurisht, lidhja midis Aleksandrit dhe gjeneralit ishte shumë e fortë, e përshkruar nga bashkëkohësit e tyre si “dy shpirtra në të njëjtin trup”, dhe dëshmuar nga dhimbja e pamasë e udhëheqësit pas vdekjes së Hephaestionit, të cilit ai do të kishte dashur t’i bënte nderime si ato të rezervuara për perënditë.

“Koncepti i dashurisë në lashtësi është i gjerë dhe shumëdimensional”, pranon vetë ministrja greke e Kulturës, Mendoni, “por ne nuk mund të interpretojmë marrëdhëniet dhe njerëzit që ekzistojnë dy mijë e treqind vjet më parë, në bazë të kritereve të sotme”. Ministrja, megjithatë, hodhi poshtë kërkesën për të marrë masa kundër Netflix: “Nuk është detyrë e qeverisë të censurojë, të gjithë mund të kenë mendime të ndryshme për artin”.

Nuk është polemika e parë për një dokumentar të transmetuar nga Netflix: vitin e kaluar ministri egjiptian i Antikitetit kritikoi ashpër vendimin e kompanisë televizive amerikane për ta luajtur Kleopatrën një aktore me ngjyrë në serialin “Mbretëresha Kleopatra”.
Për të mos përmendur polemikat që kanë lindur rreth “The Crown”, serial i akuzuar se ka shtrembëruar aspekte të shumta të historisë së familjes mbretërore angleze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA