U mori dy personave 25 mijë euro për të ndikuar në çështje gjyqësore, GJKKO vendos masën “arrest shtëpie” për avokatin

20/02/2024 11:31

Gjykata e Posaçme vendosi masën “arrest në shtëpi” për avokatin i cili u mori dy personave 25 mijë euro për të ndikuar në një çështje gjyqësore.

Pas hetimeve të SPAK, rezultoi se P. S., në cilësinë e avokatit i ka kërkuar dhe marrë shtetasve Ll. D. dhe S. D. 25 000 euro, pasi u ka premtuar se do të ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D., për favorizimin e tij në masën e dënimit.

Mbi të akuzuarin rëndon vepra penale“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas njoftimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 257, të vitit 2021, për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/2 i Kodit Penal.

Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, rezulton  se shtetasi P. S., në cilësinë e avokatit i ka kërkuar dhe marrë shtetasve Ll. D. dhe S. D.,  një shumë monetare prej 25 000 (njëzetë e pesë mijë) Euro, pasi i ka premtuar se do ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D., për favorizimin e tij në masën e dënimit. Marrja e sasisë prej 9.550 (nëntë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) Euro, nga personi nën hetim P. S., në banesën e shtetasit Ll. D. është regjistruar me audio dhe video nga rrethi familjar dhe shoqëror i shtetasit Ll. D., regjistrim ky që mban datën 06.03.2019. Ndërsa pjesa tjetër e shumës së kërkuar, sipas deklarimeve të shtetases S. D., lidhur me deklarimet e shtetasve të tjerë që kanë dijeni për veprën penale, dhe të dhënat e Western Unionit, janë dhënë më vonë në disa këste, deri në dhënien e vendimit përfundimtar gjatë fazës së rigjykimit në shkallën e parë.  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr. 41-2020-543(91), datë 11.02.2020, e ka deklaruar fajtor të pandehurin Ll. D. për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 88/2 e 25, i Kodit Penal dhe dënuar me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim, (në të njëjtën masë dënimi sikurse ishte dënuar herën e parë me vendimin nr. 10, datë 08.01.2018, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë). Nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, shtetasi nën hetim P. S., i ka kthyer shtetases S. D., shumën  prej 8000 (tetë mijë) Euro, ndërsa  pjesën e mbetur nuk ia ka kthyer.

Sa më sipër, nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi P. S., ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021).

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 15, datë 18.02.2024, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit P. S., hetuar për veprën penale“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021).

Masa e mësipërme është ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 19.02.2024. Sqarim: Masat e sigurimit janë pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës prerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA