Themeluesi i një faqe interneti, Julian Assange fillon betejen ligjore për të shmangur ekstradimin në SHBA! Akuzohet për spiunazh

20/02/2024 16:42

Avokatët e Julian Assangit filluan sfidën e fundit ligjore në Britani të martën për të ndaluar dërgimin e themeluesit të faqes WikiLeaks në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh.

Për mbështetësit e tij, zoti Assange, me origjinë australiane, është një hero që zbuloi abuzimet e qeverisë me pushtetin duke bërë publike dokumente sekrete të diplomacisë dhe ushtrisë amerikane. Për kritikët e tij, ai është një kriminel që minoi sigurinë e Perëndimit dhe rrezikoi jetët e njerëzve në shumë vende duke zbuluar sekrete.

Avokatët e Julian Assangit argumentuan në Gjykatën e Lartë në Londër se veprimet e tij kishin zbuluar veprime të rënda kriminale nga autoritetet amerikane dhe ishin “me interes të rëndësishëm publik” kur faqja e internetit që ai themeloi, Wikileaks, publikoi dokumente sekrete diplomatike dhe ushtarake amerikane. Pjesa që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishin ato që kishin të bënin me luftën në Irak dhe Afganistan.

“Rrjedhja masive e dosjeve sekrete zbulon luftën e vërtetë në Afganistan”, ishte kryetitulli i gazetes britanike ‘The Guardian’ më 26 korrik të vitit 2010.

Kërkesa është që zotit Assange t’i lejohet një tjetër proces apeli.

Vetë zoti Assange nuk ishte në gjykatë, megjithëse gjykatësja Victoria Sharp tha se atij iu dha leja për të ardhur nga burgu Belmarsh, ku ai është mbajtur për pesë vjet.

Avokati i zotit Assange, Edward Fitzgerald, tha se australiani 52-vjeçar nuk ndjehej mirë.

Problemet ligjore të Julian Assangit filluan në vitin 2010, kur ai u arrestua në Londër me kërkesë të Suedisë, e cila donte ta merrte në pyetje në lidhje me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual të bëra nga dy gra. Në vitin 2012 ai shkeli rregullat e lirimit me kusht duke mos u paraqitur në gjykatë, e cila kishte vendosur të lejonte ekstradimin e tij në Suedi, dhe kërkoi strehë brenda Ambasadës Ekuadoriane në Londër, ku autoritetet britanike nuk kishin autoritet të ndërhynin.

“Nuk kërcënohet vetëm WikiLeaks, por rrezikohet edhe liria e shprehjes dhe shëndeti i të gjitha shoqërive tona”, tha ai në vitin 2012 duke iu drejtuar mbështetësve nga ballkoni i Ambasadës së Ekuadorit në Londër ku rrinte i izoluar.

Arrestimi i tij brenda Ambasadës së Ekuadorit në Londër u bë i mundur në prillin e vitit 2019 pasi u dëmtuan marrëdhëniet e tij me qeverinë ekuadoriane.

Në nëntor të vitit 2019 Suedia hoqi dorë përfundimisht nga hetimet për krimet seksuale sepse kishte kaluar shumë kohë.

Ai tani përballet me 17 akuza nga Shtetet e Bashkuara për spiunazh për publikimin e dokumenteve të klasifikuara amerikane në faqen e tij të internetit, Wikileaks.

Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që ‘WikiLeaks’ publikoi më vonë, duke vënë në rrezik jetët.

Për mbështetësit e tij, disa prej të cilëve ishin mbledhur para Gjykatës së Lartë në Londër, Julian Assange është një gazetar që zbuloi shkeljet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan. Ata argumentojnë se prokuroria është e motivuar politikisht dhe ai nuk do të ketë një gjykim të drejtë në SHBA.

“Ai akuzohet se bëri gazetari. Me këtë çështje, Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se ata tani kriminalizojnë gazetarinë hulumtuese. Është një sulm ndaj të gjithë gazetarëve, në mbarë botën”, tha ndër të tjera bashkëshortja e zotit Assange, Stella avokate me profesion. Ata u martuan në vitin 2022 ndërsa zoti Assange mbahej në burgun britanik të sigurisë së lartë.

Nëse gjyqtarët vendosin kundër zotit Assange, ai mund t’i kërkojë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të bllokojë ekstradimin e tij. Mbështetësit shqetësohen megjithatë se ai mund të futet në një aeroplan për në SHBA përpara se ai t’i drejtohet Gjykatës Evropiane, sepse qeveria britanike ka nënshkruar tashmë një urdhër ekstradimi.

Disa nga argumentet e zotit Assange kundër ekstradimit tanimë janë refuzuar nga gjykatat britanike, avokatët e tij duan që gjyqtarët të marrin në konsideratë disa argumente të reja.

Një gjykatës në Mbretërinë e Bashkuar refuzoi kërkesën e SHBA-së për ekstradim në vitin 2021 me arsyetimin se ai rrezikonte të vriste veten nëse mbahej në kushte të ashpra burgu në SHBA. Gjykatat më të larta e anuluan atë vendim pasi morën garanci nga SHBA për trajtimin e tij. Qeveria britanike nënshkroi një urdhër ekstradimi në qershor të vitit 2022.

Ndërkohë, parlamenti australian javën e kaluar bëri thirrje që zoti Assange të lejohet të kthehet në atdheun e tij.

Kryeministri i Australisë Anthony Albanese votoi në mbështetje të një mocioni në dhomën e ulët të parlamentit më 14 shkurt që bën thirrje për kthimin e themeluesit të WikiLeaksit në Australi.

Gjyqtarët, Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson mund të japin një vendim në fund të seancës dyditore të mërkurën, por ka më shumë gjasa që atyre t’u duhen disa javë për të shqyrtuar vendimin e tyre.

Avokatët e zotit Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse shpallet fajtor, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi ka të ngjarë të jetë shumë më i shkurtër se kaq./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA