Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake, me vlerë 680 milionë dollarë

20/02/2024 10:12

Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.

Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.

Pakoja përfshin artileri dhe municion të artilerisë, anije detare luftarake dhe pajisje të tjera, tha Suedia.

Vendimi i Suedisë vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut Perëndimit për ndihmë gjatë një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit të hënën.

Zelensky ka paralajmëruar përsëri se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit.

“Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks.

Ai e vizitoi këtë qytet vetëm pak orë pasi Rusia e mori në dorë fabrikën më të madhe të koksit në Avdivka, ku Kievi e pranoi disfatën javën e kaluar duke i tërhequr trupat nga qyteti.

Rënia e Avdivkës, dikur qytet i rreth 30.000 banorëve por tani kryesisht i bërë rrafsh me tokën dhe shkretëtirë, në rajonin lindor të Donjeckut, shënon fitimin më të madh territorial të Rusisë në nëntë muajt e fundit prej se e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA