Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar se protesta e opozitës në shesh është një përgjigje e qartë për skeptikët e bashkimit të PD-së.
Nga podiumi para kryeministrisë, Salianji tha se me protestën e sotme opozita ka treguar se “nuk kemi përfunduar në kavien e laboratorit të Edi Ramës”. Sipas Salianjit, marshimi i qytetarëve në shesh është forca që nuk i bën dot ballë asnjë diktaturë, asnjë regjim.
“Nga ky shesh u kemi kthyer përgjigje të gjithë skeptikëve për bashkimin e PD-së, bashkimin e opozitës, sot nga kjo protestë të gjithë bashkë i kemi treguar regjimit dhe në çdo shtëpi kemi çuar dritën e shpresës.
Me këtë bashkim madhështor sot, kemi bërë më shumë për Shqipërinë dhe vendin sesa ka bërë çdo institucion i republikës në 10 vite. Sot keni treguar se ne nuk kemi përfunduar në kavien e laboratorit të Edi Ramës. Pas rënies së regjimit, askush nuk e kishte menduar se do të ishte nevoja të mblidheshim serish për të ruajtur vlerat edhe aspiratat mbi të cilat u mblodhën studentët e dhjetorit. Rilindja e Ramës na mësoi se s’mund ti marrim të mirëqëna vlerat e lirisë dhe të demokracisë.
Mbërritëm në ditën kur më i forti i zonës siguron votat për Ramën dhe më pas vazhdon aktivitetin i pashqetësuar. Mbërritëm në ditën ku vetëm Shqipëria dhe Serbia e Vuçiçit nuk bëjnë zgjedhje të ndershme. Edhëm në kohën kur kryeministri i ka bashkëpunëtorët në burg dhe vetë qëndron i lirë. E vetmja gjë që e mban në pushtet është indiferenca, mpirja e njerëzve, fika dhe përcarja të cilës ne i kemi dhënë fund me këtë bashkim në shesh. Të nderuar miq sot është një ditë e keqe për sulltanin. Marshimi i qytetarëve në këtë shesh është forca që nuk i bën dot ballë asnjë diktaturë, asnjë regjim”- tha Salianji.
Top Channel