Me flamuj dhe pankarta dhe duke ju rënë borive të traktorëve fermerët grekë kanë mbërritur mesditën e së martës në qendër të Athinës të duartrokitur madje edhe nga banorët e kryeqytetit.
Qindra të tjerë kanë mbërritur me dhjetëra autobusë, apo edhe me anijet e linjave nga ishujt dhe së bashku me studentë dhe sindikalistë kanë filluar protestën e tyre në një miting të madh që numëronte më shumë se 8000 pjesmarrës.
“Përpjekje për të qëndruar në tokën tonë” ishte një nga parullat e tyre në sheshin para parlamentit ku kanë parkuan traktorët e tyre. Ata kanë deklaruar se nëse nuk plotësohen kërkesat që i kanë dërguar qeverisës, janë të vendosur të përshkallëzojnë lëvizjet e tyre.
“Ne nuk mund të jetojmë më në fushat tona. Ne kërkojmë që të marrim karburant më të lirë si pronarët e anijeve dhe industrialistët , energji elektrike të lirë dhe kthimin e menjëhershëm të kostove të humbura të jetës sonë”, tha Theodoros Raisakis-fermer nga Kreta.
“Gjithçka është e hapur, nëse kërkesat tona nuk plotësohen, ne nuk do heqim dorë. Ne jemi këtu nga Kreta deri në Evros dhe Kastoria. Problemet tona janë të përbashkëta“, Kostas Lilikakis-fermer nga Kreta.
Përveç karburantit pa taksë dhe energjisë elektrike me 7 cent për kilovat orë, fermerët kërkojnë subvencionim për blerjen e plehrave kimike, të ushqimit të kafshëve dhe furnizimeve bujqësore si dhe rinegociim të Politikës Agrare.
Protestën e kanë përkrahur edhe disa prej lideërve të partive opozitare. Fermerët do të largohen nga sheshi i Parlamentit mëngjesin e së mërkurës duke u kthyer përsëri në blloqet përgjatë rrugëve kryesore të vendit dhe duke pritur përgjigjjen e qeverisë.
Top Channel