
Mustafa Lici, baba i Ibrahim Licit tha sot në SPAK se djali i tij ka qenë në Tiranë kur është vrarë Endri Mustafa.
“Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale. Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim”, tha Lici për mediat.
Edhe më herët Lici ka mohuar përfshirjen e të birit në ngjarjet kriminale për të cilat akuzohet.
Emri i Ibrahim Licit doli në dosjen “Metaforfoza”, ku Behar Bajri bënte plane që ta ekzekutonte.
Kush është Ibrahim Lici?
Ibrahim Lici prej disa vitesh ka qenë në listën e personave më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Madje për arrestimin e tij Policia vuri si shpërblim një shumë e madhe parash, për cilindo që jepte informacion, duke e vendosur atë mes pesë personave më të kërkuar. Lici, i biri i drejtuesit të fisit Lici, akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër.
Viktima u gjet në bregun e liqenit me 6 plumba në trup. Për vrasjen, u arrestuar një 15-vjeçar, shtetasi me inicialet E.M., pasi dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Licit në vrasje. Pas ngjarjes, para autoriteteve, adoleshenti tregoi vendin se ku ishte lënë në arma e krimit.
Mustafa ishte person me precedent të mëparshëm penal dhe i skeduar nga Policia e Shtetit për disa ngjarje të tjera. Në 2016 u arrestua me 3 shtetas të tjerë si autorë të veprave penale “Vjedhje me armë”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve me iniciale E.Gj dhe G.M, ngjarje për të cilën edhe u dënua.
Top Channel