Pavarësisht insistimit të familjarëve të Alexei Navalnyt për dorëzimin e trupit të pajetë të kritikut të madh të Kremlinit, autoritetet ruse nuk kanë ndërmend ta hedhin një hap të tillë, përkundrazi, njoftuan së fundi se trupi do të mbahet prej tyre për të paktën dy javë me pretendimin se gjatë periudhe, duhet t’i nënshtrohet analizave të imtësishme kimike.

Nuk ka asnjë të dhënë se ku mbahet trupi i kryeopozitarit dhe aktivistit të palodhur kundër korrupsionit, dhe cdo përpjekje e deritanishme për lokalizimin e tij, ka rezultuar e pasuksesshme. Një ditë më parë, Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, e akuzoi Moskën se po e fsheh qëllimisht trupin në pritje që prej tij të zhduken gjurmët e agjentit nervor Noviçok.

Në videon e postuar të hënën ajo u zotua të  vazhdojë luftën e burrit të saj për një Rusi të lirë dhe e akuzoi drejtpërdrejtë presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e tij. “Ne e dimë saktësisht përse Putini e vrau Aleksin tri ditë më parë”, tha ajo. Autoritetet e burgut në Arktik e njoftuan të premten për vdekjen e Navalnyt. Lideri opozitar i kishte mbijetuar në 2020-tën një përpjekjeje për vrasjen e tij po me Novichok. Navanlny qe dënuar me më shumë se 19 vjet burg për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Bashkimi Evropian lëshoi më herët një deklaratë përmes të cilës bënte thirrje për një hetim ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes. Autoritetet e burgut pretendojnë se 47 vjecari pësoi “sindromën e vdekjes së papritur”, por aleatët e tij nuk e besojnë një gjë të tillë. BE-ja u shpreh “e indinjuar” nga vdekja e politikanit të opozitës dhe shtoi se “përgjegjësia përfundimtare i takon presidentit Putin dhe autoriteteve ruse”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA