“E mbajtëm fjalën, ndërtuam spitalin e Fierit për 3 muaj”, Erdogan në konferencë me Ramën: Folëm për pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO, hedhin hije në marrëdhëniet tona

20/02/2024 23:00

Dy kalorës me flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë, udhëhoqën nisjen e ceremoninë shtetërore të pritjes në Ankara nga presidenti Recep Tayyip Erdogan për kryeministrin Edi Rama.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama bashkë-drejtuan mbledhjen e parë të Bashkëpunimit të nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive, 8 prej tyre pjesë e qeverisë shqiptare.

Për mediat treguan se çfarë u arrit në Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë mes dy qeverive.

“Bashkëpunimi jonë strategjik vijon. Konfirmuam çuarjen në një nivel tjetër të marrëdhënieve tona. Volumi tregtar tani është  në 1 miliard dollarë. Objektivi është ta çojmë 2 miliard dollarë në një kohë shumë të shkurtër. Ne do ta arrimë këtë. Ne e mbajtëm fjalën dhe e ndërtuam spitalin e miqësisë në Fier për tre muaj. Do të qëndrojmë pranë popullit shqiptarë. Folëm edhe për pastrimin mbetjeve të fundit të FETO të cilat hedhin hije në marrëdhëniet tona. Duam të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, tha Erdogan.

Kryeministri falënderoj presidentin e Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërtimin e 500 apartamenteve nga tërmeti dhe me vaksinat kundra koronavirus.

“Kemi bërë progres në fushën e mbrojtjes. Jam i kënaqur vitin e shkuar 10 milion turistë nga Turqia u rrit me 30%. Ju nuk mërziteni kur turistët turq vinë tek ne e jo Antalia”, tha Rama.

Ministrat e dy qeverive nënshkruan tre memorandume bashkëpunimi dhe dy marrëveshje. Memorandume për Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura dhe për Fushat e Medias dhe Komunikimit në komunikimin dhe informimin publik.

Sikurse marrëveshje mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA në Tirana. Përfshi një marrëveshje kuadër me karakter ushtarak.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Rama qëndroi në  Anitkabi për të parë Mauzoleumin e Mustafa Kemal Atatürkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.

Marrëveshjet e firmosura mes republikës së Turqisë dhe Shqipërisë:

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.

Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA