Amnistia Penale miratohet të enjten! U pranuan propozimet e opozitës, zgjerohet numri i përfituesve

20/02/2024 15:03

Komisioni i ligjeve ka miratuar projektligjin për amnistinë penale, duke i dhënë dritën jeshile për tu votuar në seancën plenare të së enjtes.

Sipas, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, janë rreth 3200 qytetarë që do të përfitojnë ku 700 prej tyre janë të dënuar. Mazhoranca socialiste ka propozuar edhe zgjatjen e afatit të përfitimit të amnistisë deri në 31 janar 2024, ndërsa zgjatet edhe periudha e përfitimit të dënuarve apo atyre që u kanë mbetur për të vuajtur dënimin në burgje, me katër vite për meshkujt dhe pesë vite për femrat.

Ndërkohë u miratuan edhe amendimet e sjella nga deputeti demokrat Alibeaj për lirimin nga burgjet apo ndjekjen penale të protestuesve për organizimin e manifestimeve apo tubime të paligjshme duke filluar nga tetori i 2018-tës deri në dhjetor të 2020-ës. Por, socialistët nuk i pranuan amendimet e demokratëve pa kushte

Plarent Ndreca: Do të hiqen nga amnistia ata të dënuar për shkatërrimin e pronës me zjarr. Ata që kanë kundërshtuar me dhunë policinë dhe ata që kanë përdorur lëndë plasëse dhe djegëse.

Enkelejd Alibeaj: Nuk është kjo ajo që kemi rënë dakord. Unë kam kërkuar një amnisti të plotë për këta persona, të cilët policia përveç manifestimit të paligjshëm i ka proceduar edhe me disa kundërvajtje të tjera penale pa arsye të mirëfillta.

Ndërkohë një tjetër ndryshim që iu bë ligjit ishte se përfitojnë nga lirimi i ndjekjes penale të gjithë ata zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët që mund të dënohen deri në 2 vjet, por jo për veprat korrupsion dhe shpërdorim i detyrës.

Deputeti Alibeaj kërkoi të shtyhej votimi i projektligjit nen për ne pasi nuk kishte pasur kohën e mjaftueshme për tu njohur me ndryshimet

Plarent Ndreca: Unë propozoj që meqë kolegu nuk ka pasur kohë ta shtyjmë me disa orë dhe të rikthehemi.

Enkelejd Alibeaj: Jo, ne nuk kërkojmë shtyrje me disa orë, por ditë, por ju e paskeni me shpejtësi.

Ulsi Manja: Ligji ka marrë gjithë kohën e nevojshme plot tre muaj.

Për hyrjen në fuqi të ligjit duhen 84 vota në Parlament, të cilat mazhoranca socialiste nuk i ka, duke i shtrirë dorën opozitës, e cila në parim është dakordësuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA