30 vite më parë mijëra qytetarë shqiptarë të revoltuar përmbysën bustin e diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
Rrëzimi i bustit të diktatorit u iniciua nga greva e urisë e ndërmarrë nga qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Ajo lëvizje shënoi edhe rënien e sistemit komunist në Shqipëri. Më poshtë janë qëndrimi i ish-Presidentit, Ramiz Alia si dhe kujtimet e Nexhmije Hoxhës, Sulo Gradecit dhe Rajmonda Bulkut për 20 shkurtin.
Sulo Gradeci: “Nuk jini i saktë. Sa spekulime janë bërë dhe po bëhen në emër të popullit! Monumenti ishte përgatitur që më parë për ta rrëzuar. Na thanë “mundësisht në mes të ditës, mundësisht në sy të kamerave, mundësisht në sy të botës”. Por ju e shihni. Që nga ajo ditë, monumenti i Enver Hoxhës po ringrihet urtësisht, paqësisht”
Rajmonda Bulku: ‘Atë të mërkurë të 20 shkurtit vitit 1991, kam dalë në mëngjes nga shtëpia dhe fëmijët i çova te tezja, që për fat të mirë e kisha afër dhe ia lija shpesh. Burrin e kisha në punë. Por, gjithsesi, nuk është se i merrja leje kujt. Kështu dola…Pasi sigurova fëmijët, u lidha me koleget/ët e mi për t’u ngjitur në Qytetin Studenti. Po afronte ora 1 e drekës dhe vijonim të qëndronim aty, prisnim që të vinte një lajm nga Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, lidhur më kërkesat e studentëve, në mënyrë që ata të dilnin nga greva.U krijua një tension i madh, sepse unë doja që të bëja thirrjen. Pas meje ishte kolegia ime, aktore e njohur shumë, që gjithnjë kemi qenë bashkë. U morëm ca me policin. I kërkuam që të na linte. Nuk tregoi forcë për të na kërcënuar me jetë, por nuk mund të them se na toleroi. Kolegia ime mbajti policin, ndërsa unë arrita të marr mikrofonin në vetëm pak sekonda, aq sa kam bërë thirrjen. unë isha duke hyrë te rrugica e Liceut për të shkuar drejt sheshit, kur kolegia ime më thotë se kemi tre njerëz me radio pas, që transmetonin: “Këto të dyja i kemi këtu, na thoni se ç’duhet të bëjmë”. Pra nuk arrita dot te sheshi kur u rrëzua monumenti dhe mbetëm aty nën tension, se çfarë do të bëhej me ne. E mbaj mend edhe sot njërin nga ata të tre, një kaçurrel me sy bojëqiell. Kur njëri me biçikletë na dha lajmin se ra busti i Enver Hoxhës, unë iu drejtova atij: Po tani, ç’do të bësh? Nuk e di pse u detyrua që të na thoshte: Ne po ju mbronim.
Nexhmije Hoxha: Nuk kaloi shumë kohë dhe erdhën Ramizi me Adilin. I prita me një fytyrë të zymtë. U ulëm në një kënd të sallonit. Ramizi, me një zë të këputur, tha:
“Na vjen keq për atë që ngjau dje…”. Unë e ndërpreva: “Keq?! Turp, turp, turp i pashlyer! Ju e dini – vazhdova unë – kur vdiq Enveri, ju dhe askush nuk më pa të qaj. Qe një ngushëllim i madh, atë e qau një popull i tërë… kurse dje unë qava dhe ulëriva nëpër shtëpi si një kafshë e plagosur… Enveri u la të tërhiqet zvarrë në sheshin ku ti u betove, shoku Ramiz, për t’ua çuar si ‘kurban’ studentëve, që gjoja bënin grevë urie, me këngë e rok, për t’i hequr emrin Universitetit që u ngrit me iniciativën e tij. Më vjen keq, shoku Adil, që ju e mbyllët karrierën tuaj me një firmë për heqjen e emrit të Enverit…”.
“Jo, nuk është ashtu – ndërhyri Ramizi – Adili do vazhdojë të punojë e të luftojë…”. Buzëqesha lehtë e hidhur me këto lloj iluzionesh që tashmë ishin përmbysur bashkë me bustet e Enverit e ishin djegur bashkë në flakën e veprave, ashtu siç bënin dikur skuadronet naziste, kur po ngjiste shkallët e pushtetit Hitleri në Gjermani. U thashë: “Ju kanë raportuar se çfarë ngjau sot rreth shtëpisë? Si shpëtoi shtëpia e Enverit nga grabitjet, rrënimi, djegia dhe si shpëtoi familja e tij nga linçimi…? Si është e mundur që kanë kaluar 24 orë nga ajo që për mua qe vdekja e dytë dhe më e rëndë e Enverit dhe s’u kujtua asnjë nga ju, as nga anëtarët e Byrosë, asnjë nga sekretarët e KQ, asnjë shok, asnjë shoqe nuk erdhi të më thotë një fjalë ngushëlluese dhe tani ndodhem në rrugë vetë e pesëmbëdhjeta e nuk di ku të shkoj…!”. “E drejtë – tha Ramizi – po kemi qenë shumë të zënë, se gjendja është shumë e acaruar dhe ishim të angazhuar në disa mbledhje”.
Ramiz Alia: Unë nuk mund të marr pushtet për të vendosur vlerësimin e personalitetit të Enver Hoxhës, se nuk është ky për mua problemi që ka sot populli shqiptar. Kjo që u bë sot është krimi më i madh dhe ju do të dëgjoni zhurmën e këtij krimi, do të dëgjoni se sa e rëndë dhe sa e egër do të jetë përgjigjja. Populli nuk i duron këto gjëra, mos harroni.
Top Channel