Arben Taravari rrëfen prapaskenat e negociatave me BDI: Më ofruan Presidencën, refuzova në emër të parimit

20/02/2024 11:34

Arben Taravari rrëfeu së fundi se gjatë negociatave me BDI-në, kishte pasur mundësinë që t’i pranohej çdo kërkesë që mund të parashtronte, përfshirë ajo për presidencën.

“Unë më të lehtë e kisha të shkoja me partinë në pushtet, me BDI-në, sepse kemi pasur kemi pasur bisedime dhe e kam thënë publikisht. Kam biseduar edhe me Ali Ahmetin, edhe me partitë opozitare. Personalisht, do ta kisha shumë më të lehtë. Çfarëdo që kërkoja, edhe kandidat për president ose edhe kryeministër i parë shqiptar, nëse do ta bëja atë kërkesë, do të realizohej. Edhe kryesues liste ku të doja… Por kjo nuk është çështje personale. Është çështje e vijës së ndjekur, e trajektores historike e Aleancës për Shqiptarët”, tha Taravari në RTV21.

“Nëse do të vendosnim të shkonim me BDI-në, do të mund ta bindnim edhe anëtarësinë, por unë zgjodha t’i jap një shans zërit të qytetarit, zërit të simpatizantëve tanë e t’i tregoj se Aleanca nuk e bën atë që bëri Besa në 2016-n dhe 2020-të. Ky është realiteti”, u shpreh Taravari.

Dy ditë më parë, Kongresi i ASH-së vendosi shkarkimin e Taravarit nga drejtimi i partisë dhe rikthimin e Ziadin Selës në krye të saj. I parë si shkaktari i krizës brenda kësaj force politike të cilën kërkoi tav rreshtonte në krahun e opozitës në zgjedhjet e 8 majit, në një kohë kur ajo është aktualisht pjesë e koalicionit qeverisës, Taravari u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut dhe qe pikërisht ky zhvillim që nxiti mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm.

Taravari doli mbi statutin dhe Kryesinë e ASH kur njoftoi kalimin në koalicionin opozitar LEN për zgjedhjet parlamentare, ndërsa paralajmëroi pas shkarkimit të tij, përmes një postimi në rrjetet sociale se çështja se kujt i përket ASH do të zgjidhet nga gjykata.

Top Channel