Universiteti i Popullit, një universitet online pa pagesë, u themelua në vitin 2009 dhe u akreditua në vitin 2014.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, qëllimi i kësaj organizate jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara është që të ofrojë qasje tek arsimi i lartë për rreth 140,000 studentë nga 200 vende.
Kateryna Glubochenko është nga Mykolaivi në Ukrainë. Rusia filloi luftën ndaj vendit të saj, vetëm tre muaj para se ajo të diplomohej.
“Të gjithë filluan të largoheshin nga qyteti në panik. Të gjitha bizneset u mbyllën. Gjithçka mbeti në vend”, thotë ajo.
Por Kateryna nuk i ndali studimet. Ajo vazhdoi punoi dhe arriti të diplomohej, ndonjëherë duke studiuar në strehime për t’u shpëtuar bombave.
“Nuk kisha asnjë rrugë tjetër, përveç UoPeople.”
Universiteti i Popullit, ose UoPeople, thotë se është universiteti i parë jofitimprurës pa pagesë në internet i akredituar nga SHBA. Por universiteti nuk është plotësisht falas. Studentët duhet të paguajnë midis 140 dhe 400 dollarë për çdo klasë që marrin. Studentët paguajnë rreth 5 mijë dollarë për të marrë një diplomë, dhe më pak për disa nga programet për master.
Për më tepër, Universiteti ofron një sistem bursash për njerëzit që nuk mund të paguajnë. Nëse studentët kualifikohen dhe rreth 50 për qind e tyre hyjnë në këtë kategori, diplomimi nuk kushton asgjë. Sipas faqes bestColleges.com, në vitin 2022, kostoja mesatare e shkollimit dhe tarifave në një universitet publik katërvjeçar në Shtetet e Bashkuara ishte rreth nëntë mijë e gjashtëqind dollarë në vit.
UoPeople u themelua në San Francisko në vitin 2009 nga biznesmeni dhe sipërmarrësi izraelito-amerikan Shai Reshef, i cili thotë se universiteti pranon studentë nga e gjithë bota.
“Në SHBA kemi të pastrehë, kemi studentë pa dokumente, kemi nëna që nuk punojnë, por kemi edhe shumë studentë që kanë një jetë të vështirë”.
Refugjatja afgane Khadija Amini është studente e këtij universiteti që jeton në Shqipëri në pritje të vizës amerikane. Prindërit e saj punonin për qeverinë afgane, por pasi talebanët erdhën në pushtet, ata u larguan.
UoPeople i dha Khadijas jo vetëm shansin për t’u arsimuar që talebanët do t’ia kishin mohuar, por shumë më tepër.
“Vajzat e tjera afgane duan të arsimohen. Unë kam filluar t’u jap mësim online nga shtëpia si vullnetare. Po ashtu po i orientoj për të gjetur rrugë për t’u arsimuar”.
Sot, rreth 130,000 studentë nga 200 vende studiojnë në UoPeople. Personeli – rreth 26,000 vetë – përbëhet vetëm nga vullnetarë, dhe universiteti ofron diploma në administrim biznesi, teknologji informacioni, shëndetësi dhe të tjera.
“Unë besoj se arsimimi është një e drejtë themelore dhe çdo person në botë duhet ta ketë këtë mundësi. Dhe ne pikërisht këtë bëjmë. Zhvillojmë një model arsimimi të lartë, duke treguar se të gjithë mund të kenë qasje dhe të përballojnë arsimin e lartë”.
UoPeople punon me një numër institucionesh me reputacion të arsimit të lartë, përfshirë universitetet e Edinburgut dhe McGill. Universiteti merr gjithashtu mbështetje dhe ndihmë nga organizata jofitimprurëse si Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe gjigantë të teknologjisë si Google dhe Intel./VOA
Top Channel