Detajistë, të përkushtuar, atdhetar ëndërrimtar.
Një grup studentësh të arkitekturës nën udhëheqjen e pedagogëve italianë po punojnë vullnetarisht për projektin e restaurimit të muzeut të kulturës popullore në Durrës.
‘Është një punë e bërë me zemër që sigurisht do jap fryte. Ne nuk po bëjmë thjesht një godinë të jetueshme funksionale, por është kaq bukur kur ti je në të tashmen e hedh në projekt të shkuarën për t’u realizuar në të ardhmen”, tha Xhorxhia Beqiraj, studente.
“Ky rilevim përfshihet në programin mësimor që e zhvillon profesori Alessandro Merlo për Universitetin e Firences me të cilin ne bashkëpunojmë. Këtë ushtrim e konsiderojmë shumë të rëndësishme për të mirat kulturore me interes të madh”, tha Gaia Lavoratti, pedagoge.
“Puna që po bëjnë studentët në këtë objekt është me rëndësi pasi është formë përgatitore për profesionistët e ardhshëm të fushës së dokumentimit të ndërtesave që janë trashëgimi kulturore dhe të bëhen arktitekt të zotë”, u shpreh pedagogia.
E njohur ndryshe si shtëpia e Aleksandër Moisiut, aktorit austriak me origjinë shqiptare, kjo godinë që ka hapur dyert si muze që në 1983, për shkak të dëmtimeve nga tërmeti, për më shumë se katër vite qëndron e mbyllur për vizitorët. Arkitektët e rinj janë bërë bashkë për rijetëzimin e muzeut, me qëllimin për t’ia dorëzuar projektin Ministrisë së Kulturës që ta konkretizojë atë.
“Ne po merremi me detajet në këtë objekt, fotografimi, skanimi për tu hedhur më pas në pajisjet teknologjike. Nëse këtë projekt do e bënte një kompani private do flitej për kosto me shifra marramendëse, por ne duam që përveçse të rritemi profesionalisht por edhe të bëjmë diçka të mirë për turizmin”, tha studentja Malvina Balliu.
“Për shkak të shenjave të tërmetit objekti ka nevojë për ndërhyrje, madje edhe themelet janë jo të qëndrueshme”, sipas studentes Egi Dervishi.
Me bashkëpunimin e njëri tjetrit, ku secili është i qartë me ndarjen e detyrave, brenda një muaji studentët e vitit të katërt të arkitekturës besojnë se projekt idea për restaurimin e muzeut do të jetë gati; më tej duhet të jenë institucionet shtetërore për t’i kushtuar rëndësi të shtuar monumenteve kulturore.
Top Channel