Eksportet kanë vijuar të ulen në muajin janar. Shifrat e INSTAT tregojnë se janë 29 miliardë lekë mallra të dërguara jashtë, duke u ulur me gati 30%.

Mallrat shqiptare nuk po arrijnë të gjejnë suksesin që patën në vitin 2022-it, kryesisht për shkak të çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, zhvlerësimit të euros dhe dobësimit të kërkesës nga eurozona.

Grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike pësoi tkurrjen më të fortë me 19.5%, ndjekur nga grupi i tekstileve dhe këpucëve si dhe materialet e ndërtimit dhe metalet.

Ndërkohë grupi i ushqimeve vijoi të qëndrojë në territor neutral, duke pësuar një rritje të papërfillshme.
Panorama paraqitet komplet ndryshe kur vjen puna tek importet. Mallrat që erdhën në vend ishin në vlerën e 60 miliardë lekëve duke u rritur me 3.4% në krahasim me një vit më parë. Faktori kryesor për këtë është vrulli i sektorit të ndërtimit që nuk pritet të ndalet as gjatë këtij viti. Sipas INSTAT importi i pajisjeve, makinerive dhe materiale të ndërtimit pësuan rritje të fortë.

Gjatë janarit vendi ynë pati ndryshime në partnerët tregtarë tradicionalë duke dërguar më pak mallra drejt Italisë, Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa dërgoi më shumë drejt Kroacisë dhe Austrisë. Ndërkohë morëm më shumë mallra nga Kina, Greqia dhe më pak nga Turqia, Spanja dhe Maqedonia e Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA