Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fillon shqyrtimin e çështjes së territoreve palestineze të pushtuara nga Izraeli

19/02/2024 15:48

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë sot filloi një seancë historike mbi ligjshmërinë e pushtimit 57-vjeçar nga Izraeli të territoreve, që palestinezët thonë se duhet të jenë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm.

Në fillim të seancës, ministri i jashtëm i Autoritetit Palestinez akuzoi Izraelin për aparteid ndërsa i kërkoi gjykatës që ta shpallë të paligjshëm pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli. Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë izraelite që të tërhiqej menjëherë dhe pa kushte nga territoret e pushtuara palestineze.

Zhvillimet në gjykatën me seli në Hagë po ndodhin në sfondin e luftës Izrael-Hamas, e cila u bë menjëherë një temë kryesore e ditës, megjithëse seancat kishin për qëllim të përqendroheshin vetëm në kontrollin e Bregut Perëndimor, Rripit të Gazës dhe Jeruzalemit lindor nga Izraeli.

Ministri i Punëve të Jashtme i Autoritetit palestinez, Riyad al-Maliki tha se ai ndodhet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë “ndërsa 2.3 milionë palestinezë në Rripin e Gazës, gjysma e tyre fëmijë, janë të rrethuar, po bombardohen, po vriten, po vuajnë nga uria dhe janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre”.

Trajtimi i kësaj çështjeje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që pritet të zgjasë gjashtë ditë, pason një kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një opinion këshillues, ligjërisht jo të detyrueshëm për politikat e Izraelit në territoret e pushtuara, Bregun Perëndimore dhe Rripin e Gazës.

Anëtarëve të gjykatës së OKB-së ka të ngjarë t’u duhen muaj për të nxjerrë një vendim për këtë çështje.

Ndërkohë, jashtë gjykatës u mblodhën protestues të shumtë pro-palestinezë, të cilit valëvisnin flamuj dhe pankarta në mbështetje të palestinezëve dhe bënin thirrje për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA