Vijimi i sulmeve kibernetike nga Irani siç ishin ato më të fundit ndaj parlamentit të Shqipërisë dhe INSTAT, ka detyruar qeverinë të bëj një përllogaritje të shumës së nevojshme për mbrojtjen kibernetike.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, disponon të shifrat e parashikuara prej qeverisë për këtë qëllim gjatë pesë viteve të ardhshme. Zbatimi i Sigurisë Kibernetike parashikohet t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 170 milion dollarë në total, nga të cilat 115 milion dollarë do të paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa 55 milion dollarë nga donatorët.
Këto para do të përdoren për blerje teknologjie pajisjet hardware, software, licencat, sistemet etj. Në dokumentin e qeverisë disponuar prej Top Channel thuhet se:
“Shtylla e parë i referohet ngritjes së Qendrës Kombëtare Operacionale të Sigurisë Kibernetike, e cila shoqërohet me Server Room, instalimin e agjentëve, një sërë platformash si platformat e monitorimit, platformat e ndarjes së incidenteve kibernetike, platformat e auditit, risku, web analyses. Përllogaritja është bërë duke marrë në konsideratë gjithë teknologjinë, pajisjet hardware, software, licencat, sistemet etj. Totali i përllogaritur për një periudhë 5-vjeçare është 12 258 228 000 lekë (120 000 000 dollarë). Nga kjo vlerë totale për 5 vjet, për vitin e parë 2024 vlera prej 467 721 500 lekë do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe vlera prej 5 661 392 500 lekësh parashikohet të financohet nga donatorë.
Përllogaritjet janë bërë mbi bazën e kostove lidhur me: Sistemet inteligjente të kërcënimeve Threat Hunting, Sistemet e Vlerësimit të pikave të dobëta – Vulnerability Assessment, Sistemet e Monitorimit, servera hardëare, dhoma e
serverave me facilitetet përkatëse, sistemet fundore të punonjësve të SOC = 50, sistemet Core të rrjetit, sistemet e perimetrit të sigurisë, sistemet fundore të sigurisë, sistemet e ruajtjes së të dhënave, instalimi i sistemit të agjentëve në rrjetin e jashtëm/Platforma e monitorimit, instalimi i pajisjeve hardware në rrjetin e jashtëm, instalimi i faciliteteve në dhomat e SOC – Kamera/Sensor/Blindues, sistemi i auditimit, sistemi i vlerësimit dhe trajtimit të rrezikut, ngritja e Qendrës Trajnuese, facilitetet e Qendrës Trajnuese, ngritja e sistemeve Backup Tape on- premises, ngritja e platformës e-learning të trajnimeve, ngritja e sistemit DRS.
Ngritja e kapaciteteve (trajnimet) ka të përllogaritur për një periudhë 5-vjeçare është 3 677 468 400 lekë (36 000 000 dollarë). Përllogaritja përkatëse është bërë duke marrë për bazë një listë trajnimesh të nevojshme për rritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike, marrë në konsideratë edhe sfidat aktuale të sigurisë kibernetike, ekspertizë e nevojshme, formimin e nevojshëm profesional etj. Me qëllim realizimin e kësaj përllogaritjeje stafi i AKCESK-ut ka komunikuar me infrastrukturat e informacionit të cilat janë pyetur lidhur me personelin që kanë IT dhe personelin e dedikuar për sigurinë kibernetike.
Nga ana e Autoritetit është marrë për bazë një listë trajnimesh e bazuar në SANS (Cyber Security Training, Certifications, Degrees and Resources) institut trajnimesh në sigurinë kibernetike.
Lista e përllogaritur përmban 75 trajnime për 5 vite, ku për secilin prej trajnimeve është bërë një përllogaritje e përafërt e numrit të personave që duhet t’i ndjekin këto trajnime për 5 vitet si dhe kostoja përkatëse e tyre. Për shembull lidhur me trajnimin “Introduction to Cyber Security – SANS – SEC301” –është bërë një përllogaritje e numrit të personave që do të trajnohen, marrë në konsideratë specifikat e trajnimit, formimin e personelit për infrastrukturat e informacionit si dhe numrin më të madh të pjesëmarrjes për nga natyra e vetë trajnimit.
Nga komunikimet e bëra me secilën infrastrukturë për vitin e parë është parashikuar një numër rreth 120 persona dhe kostoja është përllogaritur përafërsisht rreth 83 760 000 lekë, për vitin e dytë 100 persona dhe kostoja 69 800 000 lekë, për vitin e tretë 80 persona dhe kostoja 55 840 000 lekë, për vitin e katërt 80 persona dhe kostoja 55 840 000 lekë dhe vitin e pestë 80 persona dhe kostoja 55 840 000 lekë.
Top Channel