TikTok është një platformë sociale e cila muajt e fundit është bërë shkak për ngjarje të rënda nga vetëvrasjet deri tek shantazhi dhe dhuna.
Vetëm një ditë më parë një e mitur u shantazhua në këtë rrjet social se do i publikoheshin foto sensitive të gjeneruara nga Inteigjenca Artificiale.
Ndërkohë një javë më parë në Kamëz u vetëvra një 27-vjeçare, pasi në këtë rrjet u shpërnda një foto e saj në momente intime. Nga presioni i ushtruar në këtë rrjet social, nëna e 3 fëmijëve në Durrës Bedrie Loka kreu vetëvrasje. Po ashtu nga konflikte të nisura në këtë rrjet social kanë ndodhur plagosje, dhe shkatërrime të pronës me zjarr etj.
Nisur nga ngjarjet e fundit është parë nevoja për të rritur vigjilencën kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti në një takim Drejtorin e TikTok për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek.
Gjatë takimit u fol për masat që është duke ndërmarrë TikTok për të rritur nivelin e moderimit të postimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë që ofron aplikacioni për denoncimin e rasteve dhe kontrollin prindëror mbi postimet e fëmijëve.
Ndërkohë autoritete shqiptare kanë kërkuar një pikë të përhershme të kontaktit me Policinë e Shtetit dhe përgjigje sa më të shpejtë mbi rastet e denoncuara prej tyre.
Top Channel