Ofensiva në Gaza/ Egjipti nuk do të ngrejë kampe për refugjatët palestinezë! Kairo, kundër dëbimit dhe largimit vullnetar

18/02/2024 14:26

Ditët e fundit disa media raportuan, se Egjipti është duke përgatitur kampe pritjeje për më shumë se 100.000 refugjatë palestinezë, në rast të ofensivës izraelite në Rafah.

Të shtunën drejtuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit, SIS, Diaa Rashvan i hodhi poshtë këto raportime. Kairo është kundër dëbimit të palestinezëve dhe kundër largimit vullnetar të Rripit të Gazës, tha Rashvan. Edhe guvernatori i rajonit egjiptian të Sinait, Mohamed Shusha ka thënë për agjencinë dpa, se veprimet në këtë këtë rajon janë pjesë e një inventarizimi të shtëpive, që janë shkatërruar në luftën kundër ekstremistëve të grupit terrorist, “Shteti Islamik”. Kjo nuk ka të “bëjë aspak” me ndërtimin gjoja të kampeve të refugjatëve për palestinezët.Një grua ulur në trotuarin e shkatërruar në Rafah

Palestinezë të ardhur në RafahFotografi: Mohammed Salem/REUTERS

Sipas raportimeve të mëparshme në media, qeveria egjiptiane po përgatitej për strehimin e mbi 100.000 palestinezëve në rajonin kufitar në Rripin e Gazës, në rast të një ofensive izraelite në Rafah. Madje në këtë zonë po ngrihej edhe një mur betoni, thuhej, me gjasë për të ruajtur kontrollin mbi refugjatët palestinezë. Këtë e kishte raportuar agjencia gjermane e lajmeve, dpa dhe “Wall Street Journal” duke iu referuar zyrtarëve egjiptianë dhe analistëve. Agjencia e lajmeve, AP kishte publikuar madje pamje satelitore, që duhet të tregonin punime ndërtimi në gadishullin e Sinait në afërsi të Rripit të Gazës. Pamjet ku shihen barriera betoni, kamionë etj., përputheshin me videon e publikuar nga Fondacioni Sinai për të Drejtat e Njeriut në Londër më 12 shkurt.

Në rast të një ofensive të ushtrisë izraelite në Rafah në jug të Rripit të Gazës, Egjipti do mund të përballej me një eksod masiv të palestinezëve. Egjipti dhe një sërë politikanësh në botë e kanë paralajmëruar Izraelin nga një ofensivë në Rafah, ku sipas të dhënave të OKB-së ndodhen rreth 1,3 milionë palestinezë. Shumica të ardhur pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës. Pas sulmeve terroriste të Hamasit më 7 tetor në Izrael, ku humbën jetën më shumë se 1200 vetë dhe u morën peng qindra të tjerë, Izraeli reagoi me bombardime dhe ofensivë tokësore në Rripin e Gazës.

Tym pas bombardimeve izraelite në Rafah
Bombardime izraelite në RafahFotografi: MOHAMMED ABED/AFP/Getty Images

Biden paralajmëron Izraelin

Izraeli ndodhet aktualisht nën presion masiv për pezullimin e planeve për një ofensivë tokësore në Rafah, në jug të Izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëroi Izraelin së fundmi qartë duke thënë se është i bindur, se duhet të ketë një “ndalim të përkohshëm të luftimeve”, për të liruar pengjet. Ai pret që “izraelitët në këtë periudhë të mos ndërmarrin një ofensivë tokësore masive”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë. Biden kërkon nga Izraeli uljen e rrezikut për viktimat civile në Rripin e Gazës. SHBA megjithë presionin ndaj Izraelit për ndalim të luftimeve, planifikojnë dërgimin e armatimeve të tjera në Izrael. Sipas “Wall Street Journal”, që i referohet zyrtarëve amerikanë, planet e qeverisë së Bidenit po verifikohen ndërkohë e mund të ndryshojnë, para se t’i paraqiten kongresit për miratim.

Ushtria izraelite pritet t’i paraqesë së shpejti kabinetit qeveritar në Izrael një plan të detajuar për misionin ushtarak në Rafah, ka raportuar “Times of Israel” të shtunën, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Sipas organizatave të OKB-së, një pjesë e palestinezëve për shkak të frikës së sulmeve në Rafah, kanë marrë drejtimin për në qendër të Gazës./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA