Lihet arrest në burg 35-vjeçari Ilir Koçilja, i akuzuar për vrasjen me dashje të Halil Kokës dhe “armëmbajtje pa leje”.
Ilir Koçilja është shfaqur me një fletore në dorë para gjykatës në seancën e masës së sigurisë ndaj tij. Ai ka deklaruar: “Jam fitues i tenderit. Jemi kërcënuar disa herë nga Halil Koka unë dhe familjarë të mi, xhaxhai. Kërkoj masë të butë pasi kam qenë i pirë dhe nuk e dija që ka vdekur. Të hapen kamerat.”
“Më tërhoqi. Më shau e më gjuajti. Më gjuajti edhe me gur dhe pastaj erdhi dhe shoku i tij për të më gjuajtur. Aty u ktheva dhe përdora biçakun që kisha me vete. Nuk e dija që ka vdekur. Nuk i kam parë lajmet.”
I pyetur nga gjyqtarja nëse është trajtuar me mjekim për probleme të shëndetit mendor, i arrestuari pohoi se ka marrë mjekim kur trajtohej si përdorues kokaine, disa vite më parë. Në fjalën e tij nuk u shfaq i penduar, ndërsa nuk ishte koherent. Sipas tij, konflikti mes tyre për shitjen e lëndëve narkotike në lagje.
“Ka 25 vjet që ky person kërcënon aty dhe kontrollon kush hyn e del në lagje dhe shet drogë. Jetoj vetëm se familjarët janë në Amerikë”- tha Koçilja.
Avokati kërkoi arrest në burg me afat që të përcaktohet nëse thika i plotëson kushtet si armë e ftohtë dhe sa i përket gjendjes së tij mendore, ndërsa prokurorja Flora Reka kërkoi “arrest me burg” për Ilir Koçilja.
35-vjeçari u arrestua disa orë pas ngjarjes më 14 shkurt për vrasjen me dashje të shtetasit Halil Koka dhe armëmbajtje paleje. Koka u qëllua me thikë në kraharor, trotuarin e rrugës “Skënderbej”, pranë shkollës “Jusuf Puka”.
Në momentin e kapjes të arrestuarit iu gjet dhe thika që është dërguar për ekzaminim biologjik dhe teknik. Nëse shpallet fajtor rrezikon nga 10-20 vjet burg. Gjyqtarja Besjana Garxenaj pasi dëgjoi palët caktoi vendosi arrest në burg.
Top Channel