Huthit shkatërrojnë anijen-cisternë të naftës të nisur nga Athina: Ishte angleze

17/02/2024 15:31

“E bëmë ne”: lëvizja Huthi ka marrë përgjegjësinë për sulmin e një dite më parë ndaj një cisterne nafte në Detin e Kuq.

Rebelët jemenitë treguan kështu se nuk ka ndërmend të zbuten përpara kundërsulmeve të SHBA-së, duke sfiduar ndërkombëtarët me qëndrimin e tyre. Goditjet e Huthive ndaj anijeve në Detin e Kuq nisën nëntorin e vitit të kaluar, dhe pasojat e tyre janë ndjerë pasi kanë penguar tregtinë botërore që kalon përmes Detit të Kuq, një prej rrugëve kyçe të tregtisë në botë.

Zëdhënësi i rebelëve Yahya Saree deklaroi se forcat e tyre detare kishin “kryer një operacion që shënjestroi cisternën britanike të naftës, Pollux, në Detin e Kuq”, pa sqaruar ndërkohë sesi e kishin përcaktuar rebelet se anija kishte lidhje me Britaninë, pasi në një databazë për anijet në Greqi, thuhet se anija e sulmuar operohej nga një kompani e Athinës. Departamenti amerikan i Shteti pohoi më herët se një raketë e lëshuar nga Jemeni “goditi anijen Pollux, që po barte naftë të papërpunuar”.

Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur hyri në fuqi vendimi i Uashingtonit për shpalljen e Huthive si grupim “terrorist”. Kompania e sigurimeve, Ambrey pohoi se cisterna në fakt, pësoi vetëm “dëme të vogla”. Sulmet fundit vijnë pasi ushtria amerikane gjatë 16 shkurtit sulmoi tri raketa lundruese të Huthëve, që sipas Uashingtonit, po përgatiteshin që të sulmonin anijet në Detin e Kuq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA