Shtyrja e papritur e zgjedhjeve nga autoritetet në pushtet në Senegal, shkaktoi trazira të rënda, në atë që konsiderohej si një prej vendeve më të stabilizuara të Afrikës.
Sot presidenti Macky Sall u zotua të organizonte zgjedhjet “sa më shpejt që është e mundur” pasi Këshilli Kushtetues i vendit refuzoi vendimin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve të këtij muaji.
Shtyrja e zgjedhjeve kishte futur në kaos vendin prej protestave të dhunshme ku të paktën tre njerëz humbën jetën.
“Presidenti i Republikës do të zbatojë plotësisht vendimin e Këshillit Kushtetues,” thuhej në deklaratën e sotme. “Për këtë qëllim kreu i shtetit do të nisë konsultimet për organizimin sa më parë të zgjedhjeve presidenciale”.
Këshilli Kushtetues është autoriteti më i lartë zgjedhor në Senegal përkufizoi si anti-kushtetues vendimin e shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale të 25 shkurtit, per në 15 dhjetor.
“Ky vendim sjell përsëri rregull në Senegal, unë nuk çuditem pasi ato që po ndodhnin ishin tepër të mëdha”, tha për rrjetin AFP, ish-kryeministri Aminata Toure, tashmë në opozitë.
Vendimi këshillit u publikua teksa disa zyrtarë të burgosur të opozitës u liruan nga burgu, në dukje një tentativë e presidentit për të qetësuar opinionin publik.
“Shumica e klientëve të mi të ndaluar për çështje politike janë liruar”, tha avokati Cheikh Koureissi Ba për rrjetin AFP, duke shtuar se numri arrinte në disa dhjetra.
Shumë aktivistë opozitarë janë arrestuar në vend që prej vitit 2021, kur krye-opozitari Sonko nisi të fushatë protestash anti-qeveritare.
Top Channel