Gjykata federale e Uashingtonit dënoi sot me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.
Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.
“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhet në dokument, sipas Zërit të Amerikës.
Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, në lidhje me të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.
Pranimi i fajësisë u bë në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Në këmbim të pranimit të fajësisë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
Top Channel