Deklarata e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për lëkundjen e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Qeverinë e Kosovës, kanë nxitur reagimin e opozitës.
Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovës, Memli Krasniqi, një natë më herët, tha se kryeministri Albin Kurti nuk e ka legjitimitetin të cenojë marrëdhëniet me partnerin më të fortë të shtetit.
“Albin Kurti nuk e ka legjitimitetin me i shkatërru aleancat e Kosovës. Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet për me i realizu premtimet që ua ka dhënë njerëzve. Nuk e ka premtuar asnjëherë që ai do t’i shkatërrojë raportet e Kosovës me perëndimin e SHBA-të në mënyrë të veçantë. Ai nuk ka as të drejtë, as legjitimitet dhe as nuk do ta lejojmë që të bëjë një gjë të tillë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kërkon që këto veprime që i quan të dëmshme të ndalen.
Ambasadori amerikan u shpreh se është rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb ajo që ndikoi në marrëdhëniet mes qeverisë e SHBA-ve. Derisa, kërkon e pret që Qeveria e Kosovës ta shtyjë tërësisht zbatimin e rregullores që ka hyrë në fuqi më një shkurt.
Top Channel