Rama falenderon Blinken: Në çdo takim të rëndësishëm nuk lë pa nënvizuar nevojën për integrimin e Shqipërisë në BE

15/02/2024 17:50

Gjatë konferencës së përbashkët me Sekretarin Amerikan të Shtetit, kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin me një falenderim për Blinken, për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në BE.

Rama shprehu mirënjohjen për mesazhin e ‘ambasadores së SHBA në Kombet e Bashkuara, për vlerësimin e lartë që i bëri misionit shqiptar, për fjalët pozitive dhe mënyrën sesi Shqipëria arriti ta përfaqësojë veten’.

“Jemi shumë të nderuar sot nga vizita e Sekretarit të Shtetit dhe po ashtu mund ta them pa asnjë zbukurim diplomatik apo protokollar që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur, i thellë dhe nga niveli i ndërveprimit dhe i mirëkuptimin mes nesh.
Më vjen shumë mirë që kjo vizitë koincidon dhe me përfundimin e misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe i shpreha Sekretarit të Shtetit përveç falënderimit për mbështetjen e paçmuar që patëm nga ShBA dhe nga misioni i ShBA në OKB për praninë tonë në Këshill dhe për suksesin e misionit tonë në dy vitet që qëndruam si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, por edhe mirënjohjen për mesazhin prekës që përcolli publikisht ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, për vlerësimin e lartë që ajo i bëri misionit shqiptar, për fjalët jashtëzakonisht pozitive që ajo ndau me publikun, për mënyrën se si Shqipëria arriti ta përfaqësoi veten, por më tepër se kaq. Për mënyrën sesi Shqipëria arriti të përfaqësojë edhe këtë komunitet vendesh dhe shtetesh që qëndrojnë sëbashku për disa vlera dhe parime që për ne janë të panegociueshme.

Nga ana tjetër, dua që publikisht ta falënderoj Sekretarin e Shtetit dhe për një mbështetje për të cilën flitet pak, e cila në fakt shihet pak, por që është një mbështetje e vazhdueshme, e rëndësishme dhe e dobishme për ecurinë e Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Natyrisht ky është një proces që varet nga çfarë bëjmë ne, varet nga gjykimi dhe vlerësimi i partnerëve dhe aleatëve tanë në BE, por prej disa vitesh ne kemi ndjerë dhe e çmojmë shumë interesimin e vazhdueshme të administratës amerikanë dhe posaçërisht interesimin e vazhdueshëm të Departamentit të Shtetit dhe faktin që në vazhdimësi sekretari në takimet e rëndësishme me aleatët europianë nuk e lë pa e nënvizuar dhe nevojën për ta shtyrë më tutje këtë proces të integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE si një interes strategjik i Shteteve të Bashkuara-u shpreh Rama në konferencën e përbashkët me Blinken.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA