Deklarata e Kurtit se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë prekur, ambasadori amerikan e përgënjeshtron: Nuk është e vërtetë, jemi të shqetësuar dhe të frustrurar

15/02/2024 16:44

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ka ndikuar në marrëdhëniet e qeverisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë e ka bërë të qartë në një deklarim për media ambasadori amerikan Jeff Hovenier, i cili tha këtë e tregon qartë  deklarimi i Ndihmës Sekretarit Jim O’Brien.

Në fillim të javës O’Brien tha se nëse Kosova nuk do të trajtojë SHBA-të si partner, kjo vë në pikëpyetje se sa partner mund ta konsiderojë SHBA këtë qeveri.

“Unë jam i shqetësuar që tani pas intervistës së tij ka deklarata publike që sugjerojnë se partneriteti i SHBA nuk është prekur dhe mund të mos ndikohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë se thjesht nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është kështu. Siç deklaroi Ndihmës Sekretari O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë midis dy qeverive tona. Çdo sugjerim për të kundërtën pasqyron një keqkuptim themelor ose një keqinterpretim të rëndësisë që i kushtojmë zgjidhjes së kësaj çështjeje.”

Këtë lëkundje Hovenier e sqaroi përmes deklaratave dhe qëndrimeve të fundit që SHBA ka pasur karshi Kosovës.

“Është shumë e rrallë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që përfaqësuesi amerikan i Këshillit të Sigurimit të thotë gjëra kritike për një qeveri të Kosovës. Ambasadorja Thomas Greenfield e bëri këtë. Është shumë e rrallë për ndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Evropën, Jim O’Brien, tani, të japë një intervistë me tonin dhe përmbajtjen që ai dha, kjo është shumë e rrallë. Dhe kështu mendoj se kjo tashmë pasqyron një problem. Dhe shpresa jonë është ta ndalojmë këtë.”

Ai pret që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores që ka hyrë në fuqi më një shkurt e që ndalon qarkullimin e valutës serbe, dinarit në Kosovë.

“Ne jemi të shqetësuar, madje do të them të zhgënjyer, që qeveria e kryeministrit Kirty nuk e ka bërë këtë dhe çdo sugjerim se gjërat janë në rregull dhe që në heshtje jemi të gjithë në bord me njëri-tjetrin, thjesht nuk është i vërtetë. Jemi të shqetësuar dhe të frustruar. Dhe mendoj se toni nga intervista e Ndihmës Sekretarit O’Brien e pasqyron atë shumë, shumë qartë.”

Ambasadori nuk e ka përjashtuar mundësinë e shtimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës duke thënë që po kërkohet por nuk ka diçka konkrete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA