35-vjeçari Ilir Koçilja, që vrau fqinjin, u kap pas disa orësh arratie në bulevardin e qytetit.
Në momentin e arrestimit, autorit të dyshuar iu gjet në xhep, thika me të cilën dyshohet se qëlloi për vdekje Halil Kokën.
Sherri mes tyre nisi në lagjen numër 4 të qytetit, ku Koçilja sulmoi me thikë komshiun. I plagosur 47-vjeçari kapërceu rrugën dhe vrapoi për t’i shpëtuar agresorit të tij, por u rrëzua në rrugë, pranë kontejnerëve të mbetjeve urbane. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Gazetarja Vali Qyrfyçi mëson se Koçilja është person me precedent të mëparshëm penal. Ai është dënuar në vitin 2018 me 4 muaj burg për përndjekjen e Roxhesa Klironomit, vajzës që më pas humbi jetën në një aksident automobilistik bashkë me shoqen e saj në autostradën Tiranë- Durrës, në nëntor 2022.
Ndërkohë viktima është dënuar 2 herë për armëmbajtje pa leje. Në 2008 me 6 muaj burg dhe në 2012 me 5 muaj burg.
Në 2021, Koka është arrestuar sërish për armëmbajtje pa leje me një person tjetër, por ndaj tij prokuroria e ka pushuar çështjen dhe është dënuar vetëm personi tjetër.
Top Channel