Rama takim me Presidentin e Emiratave të Bashkuara: Biseduam për ecurinë e projekteve strategjike dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë

14/02/2024 09:19

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga takimi me Presidentin e Emiratave të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nayan, i cili e priti në shtëpinë e tij në Abu Dhabi.

“I nderuar nga miqësia dhe mikpritja në shtëpi e Presidentit të Emiratave të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nayan, me të cilin biseduam për ecurinë e projekteve të mëdha strategjike në fushën e energjisë, turizmit, infrastrukturës, sigurisë, si edhe për marrëveshjen e tregëtisë së lirë që do të nënshkruajmë së shpejti”, tha Rama.

Kujtojmë se një ditë më parë, Kryeministri Rama së bashku me ish-kryeministrin e Anglisë, Tony Blair u bënë bashkë në Dubai për të folur në Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave qeverisëse.

Rama solli eksperiencën e Shqipërisë dhe përpjekjet e qeverisë në ofrimin e shërbimeve dixhitale kur u pyet  nga Blair se Inteligjenca Artificiale është një revolucion më vete dhe si Shqipëria po ndërton një infrastrukturë digjitale.

Top Channel