Frikë në gadishullin korean! Raketat e Koresë së Veriut alarmojnë Seulin

14/02/2024 13:21

Koreja e Veriut lëshoi disa raketa lundruese në det duke rritur akoma më shtunën tensionet në këtë rajon.

Sipas ushtrisë jug-koreane, ky është testimi i pestë që koreano-veriorët zhvillojnë nga muaji janar. Raketat e lëshuara u dedektuan në verilindje dhe lindje të qytetit Vonsan. Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, ato po analizohen në bashkëpunim me ushtrinë amerikane ndërsa ende nuk dihet nëse u lëshuan nga toka apo deti.

“Ushtria jonë ka rritur vëzhgimin dhe vigjilencën dhe po punon ngushtë me partnerët amerikanë, duke monitoruar nga afër sinjalet e aktivitetit të mëtejmë nga Koreja e Veriut”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Koresë së Jugut por pa dhënë shumë detaje.

Testimet janë rritur akoma më shumë në një kohë kur Koreja e Jugut dhe SHBA po përgatiten për të mbajtur zgjedhjet. Ndërkohë lideri koreano-verior, Kim Jong Un është shprehur i gatshëm të sulmojë Korenë e Jugut nëse do të cënohet siguria e Veriut.

Për të demonstruar qëndrimet e tij ai ka rritur dhe testimet e raketave të cilat mund të godasin objektiva të ndryshëm në distancë të largët. Për të ndalur këtë rrezik, SHBA, së bashku me Korenë e Jugut dhe Japoninë kanë rritur bashkëpunimin ushtarak dhe po zhvillojnë stërvitje të ndryshme. Po ashtu tre vendet po punojnë dhe për të forcuar strategjitë e tyre të parandalimit bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA